Është festivali i parë feminist në Kosovë e më i madhi në rajon. Prej sot (e martë) për dhjetë ditë me radhë do të shpërfaqë aftësinë e grave dhe burrave artistë dhe aktivistë, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion” festivali feston një dekadë të njohjes dhe nderimit të guximit të grave artiste dhe aktiviste, fuqisë kreative, dhe angazhimit të tyre për barazi e drejtësi.
Sipas njoftimit, edicionin e dhjetë e hap shfaqja premierë “Toka e Shpirtrave të Trazuar”, nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.
“E shtrirë në një format unik eksperimental në shqip dhe anglisht, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dhe dramaturgji të Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video-projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive. Poezitë në lëvizje të Shqipe Malushit dramatizohen, inskenohen e jetësohen nga Trupa Artistike e Artpolisit”, shkruhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, një dekadë e artit të angazhuar kulmon me prezantimin e 24 aktiviteteve të artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Reunion Island, Italia dhe Franca, që sjellin shfaqje teatrore, balet flamengo, vallëzim bashkëkohor, koncert, konferenca, diskutime, trajnime dhe punëtori.
“Gratë artiste sjellin, fuqizojnë dhe inspirojnë përmes shfaqjeve teatrore, koncerteve, punëtorive e trajnimeve; ‘Pa zë’ me regji të Klaudia Pirolit, ‘Në prag të thyerjes’ nga Dekadenca dhe Markiza de Sada, ‘Nata e Divave’ nga Dekadenca dhe Lady K, ‘Enigma e Revolucionit’ dhe ‘25 Gota Verë’ me regji të Dijana Milosheviq, ‘Ndal luftën’ nga Miriam Engel, ‘Cities by Night’ nga Valentina Medda...”, shkruhet në komunikatë.
Ndër vite “FemArt” ka bashkëpunuar e krijuar edhe me artistë dhe aktivistë burra, të cilët ndajnë vlerat e përbashkëta feministe.
“Dhe në veprat e tyre zë vend të rëndësishëm ngritja e vetëdijes për barazi gjinore dhe fuqizim të grave. Kjo vazhdon edhe sot, me veprat si: ‘Babai dhe Babai’ me regji të Kushtrim Koliqit dhe autorësi të Jeton Nezirajt, ‘Vals i Këputun’ me regji dhe koreografi të Gentian Dodës, ‘Burrat’ me regji të Pedro Alves, ‘Burrneshat’ me autorësi të Jeton Nezirajt e regji të Erson Zymberit, ‘Ora e Vdekjes’ me regji të Ilir Bokshit”, shkruhet në njoftim. Sipas organizatorëve, Festivali është shndërruar në platformë unike të unitetit, diversitetit, barazisë dhe krijimtarisë, promovimit të feminizmit, barazisë gjinore, drejtësisë, edukimit, pajtimit dhe ndërtimit të paqes.
“Është një hapësirë e sigurt për shprehje dhe një mundësi për ndryshim”, shkruhet në komunikatë.