Kulturë

Arti në maska mbrojtëse, sfidon me ngjyra pandeminë

“Nuk mund ta konsumosh kreativitetin. Sa më shumë që e fut në funksion, aq më shumë e ke”, është thënia e poetes e aktivistes Maya Angelou, e cila merr edhe më shumë kuptim në rastet kur një shikim rreth e rrotull mund të krijojë plot ide për nisma artistike. Madje edhe nga gjëra krejtësisht të rëndomta mund të dalin gjëra interesante.

Përderisa pandemia ka pushtuar botën tash e dy vjet, artistët kanë qenë ata të cilët gjatë periudhës së karantimit kanë gjetur forma e metoda të ndryshme për të bërë art. E në kohën kur gjendja qëndron e përmirësuar, por virusi ende nuk ka ikur plotësisht, mjetet mbrojtëse mund të shërbejnë si një pikë kthese në këtë mes.

Janë pikërisht maskat ato të cilat i kanë kthyer në vepra arti. Në dukje sa me ngjyrë të bardhë e sa të kaltër, vizatimet e dizajnimet e nxënësve të gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan ua kanë shtuar koloritin me forma e ngjyra të ndryshme. Që në hyrje të korridorit të shkollës, ato janë të varguara njëra pas tjetrës me 230 sosh. Mbështetje psikologjike në kohë pandemie, satira e ironizime, portreti i Van Goghut, kundërshtimi i racizmit, peizazhe, revoltë ndaj mësimit të shtunave, “s’ka virus” e Labinot Tahirit, simbolet shtetërore dhe një sërë temash të tjera janë tema të ekspozitës “Art në maska”.

Gjithçka kishte filluar në muajin nëntor të vitit të kaluar, atëherë kur profesoreshës së artit figurativ në këtë shkollë, Magbule Xhemaili, i lindi ideja për një iniciativë të tillë. Ajo ka thënë se në fillim interesimi nuk ka qenë edhe aq i madh, por që ka vazhduar gjatë rrugës.

“Nuk i kam caktuar kohë, patëm filluar në nëntor e mandej e caktuam 15 shkurtin si datë të përfundimit”, ka thënë ajo.

Kur nxënësit ua kishin dorëzuar maskat, asaj i kishte ardhur ideja që gjithë këto copëza arti t’i bashkonte në një mozaik të vetëm. Këtë e kishte bërë duke i qëndisur në makinë, gjë e cila i kishte marrë dhjetë orë në ditë. Por, në këtë rrugëtim nuk i ka munguar as mbështetja e kolegëve.

“Gjatë rrugës bisedova edhe me kolegen e psikologjisë, Vjollca Zymeri- Dërvaja, dhe ajo tha: ‘Po të përkrahi në këtë nismë’ dhe e vazhduam bashkë”, ka rrëfyer ajo, duke qenë se ekspozita shprehu aspektin artistik e psikologjik të nxënësve.

Për t’ua lehtësuar shpërfaqjen e kreativitetit, ajo kishte vendosur që të mos caktonte kufizime.

“Tema ka qenë krejtësisht e lirë, teknika gjithashtu. Materiali i maskave ka qenë pak problematik, meqë është sintetikë. Por, nxënësit kanë mundur të përdorin edhe kolazh e të ngjisin diçka”, përfundon profesoresha e artit.

Njëra nga nxënëset është siguruar që nëpërmjet maskave të saj të pasqyrojë edhe rëndësinë e shëndetit mendor.

“E dimë që jemi në një moment pandemie, e cila nuk ka ndikuar vetëm aspektin fizik, por edhe atë psikik. Ne kemi dashur që nxënësve tonë të shkollës t’ua bëmë me dije që ne jemi bashkë me ta dhe i përkrahim”, ka thënë Ela Maliqi.

Nxënësja Rigë Qerimi ka rikujtuar se fillimisht ideja ka lindur nga profesoresha e artit, e pastaj disa nga nxënësit e kanë shprehur kreativitetin e tyre në maska.

“Unë e kam paraqitur globin, meqë pandemia ka qenë problem që i ka prekur të gjithë njerëzit. Në maskën e dytë e kam paraqitur buzëqeshjen sepse edhe pse ka qenë problem ne jemi mësuar të jetojmë me të dhe e kemi kthyer buzëqeshjen”, ka thënë Qerimi. Në maska nuk mungojnë as temat atdhetare.

“Në këtë ekspozitë kam paraqitur katër maska njëra prej të cilave ka ngjyrat kuq e zi që e paraqet flamurin kombëtar, njëra paraqet flamurin e Kosovës me ngjyrat verdhë, kaltër e bardhë. Tjetra janë malet e natyra e Kosovës dhe maska tjetër është me ngjyrë kafe”, ka thënë Blind Kqiku.

Ekspozita “Art në maska” ishte hapur me rastin e Pavarësisë së Kosovës, teksa do të vazhdon të qëndrojë në korridorin e shkollës “Xhavit Ahmeti” në Gjilan.