Deri në nisjen e debatit “#OscarsSoWhite” në vitin 2016 – kur për herë të dytë asnjë aktor jo i bardhë nuk ishte nominuar - “Academy of Motion Picture Arts and Sciences” kishte ftuar gati 300 veta si anëtarë të rinj çdo vit. Që atëherë pati anëtarësime më diverse me 683 anëtarë në vitin 2016, 774 në vitin 2017, 928 në vitin 2018, 842 në vitin 2019 dhe 819 në vitin 2020, kur synimet për barazi dhe përfshirje ishin arritur para se të ktheheshin në një numër më tradicional, 375 në vitin 2021. Më fjalë të tjera, 4 mijë e 421 anëtarë nga rreth 9 mijë e 400 anëtarë aktivë – apo 47 për qind – nuk ishin pjesë e organizatës para gjashtë vjetëve.
Një efekt anësor i rritjes së diversitetit brenda Akademisë ka bërë që të ketë rritje të anëtarëve që janë të vendosur jashtë Amerikës: me mbi 12 për qind në vitin 2015, të më shumë se 25 për qind, që vijnë nga 75 vende nga të gjashtë kontinentet tashmë reprezentative. Si rezultat i kësaj – për aq sa, nëse jo më shumë, Akademia ka rritur diversitetin brenda saj – unë besoj së “Oscars” tani është më e vështirë që të parashikohet, dhe filmat ndërkombëtarë kanë më shumë gjasa të lulëzojnë si asnjëherë më parë.
Shenjat e para se çfarë Akademia do të përzgjedhtë si të nominuar apo fitues vinin nga organizatat e Hollywoodit si “SAG-AFTRA”, asociacionet si “The Producers Guild of America’s” dhe shoqëritë si “American Cinema Editors”, sepse shumica e anëtarëve të Akademisë ishte nga këto organizata. Por e njëjta gjë është e vërtetë për shumë pak kineastë me bazë jashtë vendit, që do të thotë se këto ditë shijet e një të katërtës së anëtarëve të Akademisë nuk merren parasysh kur peshohen për të dhënë parashikimet.
Për më tepër, shumë prej anëtarëve ndërkombëtarë të Akademisë janë më pak të bezdisur nga titrat krahasuar me amerikanët, pasi janë mësuar me ta duke parë filmat në gjuhën angleze. Unë dyshoj se kjo shpjegon se si “Roma” në gjuhën spanjolle u bë vetëm i 11-ti film në gjuhën joangleze i nominuar ndonjëherë për “Oscars” për filmin më të mirë (dhe dy aktoret e tij kryesore morën nominime pavarësisht se u përbuzën nga ‘SAG Awards’); si, një vit më vonë “Parasite” u bë i 12-ti dhe i pari që fitoi atë çmim (‘SAG Awards’ ishin të vetmit pararendës për ta nderuar atë); dhe si, një vit pas kësaj, “Minari” në gjuhën koreane u bë i 13-ti (dhe Yuh-jung Youn u bë vetëm fituesi i gjashtë për aktrimin më të mirë në një gjuhë tjetër përveç anglishtes).
Anëtarët ndërkombëtarë janë gjithashtu shumë më të vështirë për t'u arritur përmes fushatës tradicionale të “Oscarit” krahasuar me anëtarët vendës. Edhe përpara se pandemia të ndalonte mbledhjet personale, asnjë distributor nuk kishte burimet për të mbajtur shfaqje ose ngjarje në këto 75 vende të botës. Dhe këta anëtarë pa dyshim që nuk do të kalojnë përpara një billbordi të “Bulevardit Sunset” ose të shohin posterin në stacionin e metrosë në “Times Square” ose të shkojnë në një drekë me talente të New Yorkut apo të mbajnë bashkëbisedime në Los Angeles.
Pandemia, natyrisht, e ka zhvendosur ekuacionin. Anëtarët e Akademisë kudo po veprojnë më pak me njëri-tjetrin dhe po mbështeten më shumë te kritikët për të udhëhequr vendimet e tyre se cilit film duhet t'i japin përparësi. Kritikët janë përgjithësisht më të hapur ndaj ndërkombëtarëve se të tjerët, siç u dëshmua këtë sezon nga vendimet e Shoqatës së Kritikëve të Filmit në Los Angeles, Rrethi i Kritikëve të Filmit në New York dhe Shoqëria Kombëtare e Kritikëve të Filmit për të emëruar "Drive My Car" të Japonisë si filmin më të mirë për vitin 2021.
Ky sezon është gjithashtu i pari në të cilin kopje të filmit nuk lejohen t'u dërgohen anëtarëve të Akademisë, gjë që nivelizon fushën e lojës. Prodhimi dhe dërgimi i DVD-ve për anëtarët e Akademisë globalisht ishte i shtrenjtë, ndonjëherë duke kushtuar deri në gjashtë shifra, veçanërisht kur kërkoheshin filigranët kundër piraterisë. Si rezultat, shumë filma joanglisht u dërguan vetëm në degë të përzgjedhura të Akademisë (p.sh., aktorë ose shkrimtarë), duke kufizuar mundësinë e tyre për filmin më të mirë. Tani, për një tarifë dukshëm më të ulët, prej 12 dollarë e gjysmë, çdo film kualifikues mund të ngarkohet në shërbimin e transmetimit vetëm për anëtarët e Akademisë.
Pra, vetëm për shkak se në “SAG Awards” Penélope Cruz nuk u nominua për rolin në “Parallel Mothers” apo Renate Reinsve për aktoren më të mirë për rolin e saj në “The Worst Person in the World”, e “DGA Awards” gati sa nuk la anash “A hero” të Asghar Farhadi dhe “The Hand of God” të Paolo Sorrentino, nuk do të thotë se asnjëri prej tyre nuk do të merret parasysh nga “Oscars”. Për Akademinë është një botë krejtësisht tjetër.
“Hollywood Reporter”