Kulturë

Ministria pishman në 48 orë, çerek milioni për vepra arti në suficit

Që Ministria e Kulturës për herë të parë të blejë vepra, ishte pritur pozitivisht nga komuniteti i artistëve pamorë, por kur ka dalë lista e atyre që ka blerë, kanë ndërruar hesapet. Me pompozitet e mburrje e kishte proklamuar MKRS-ja këtë nismë qysh në verën e këtij viti, por dy ditë pas shpalljes së rezultateve, i gjithë procesi të enjten ka rënë në ujë. Fondi prej çerek milioni eurosh rrezikon të shkojë në suficit dhe një gjë të tillë MKRS-ja e ka thënë jozyrtarisht

Procesin e blerjes së veprave të artit pamor – të paralajmëruar me pompozitet e të përuruar si nismë në ndihmë të artistëve edhe nëpërmjet konferencave – Ministria e Kulturës e ka zhvlerësuar. Për këtë nuk është menduar fort. S’i janë dashur më shumë se 48 orë pasi e ka marrë vendimin dhe ka publikuar listën e veprave që ka blerë për çerek milioni euro. E ka anuluar pas një proteste të vogël të nja 20 artistëve të enjten para MKRS-së përderisa debati midis komunitetit artistik tashmë ka shpërthyer. Tre prej tyre kanë qenë me pankarta: njëra për “komisionin e dostave”, tjetra për mungesën e baraspeshës midis çmimit dhe veprës, dhe e treta me thirrjen: “Stop diskriminimit!”

Mënyra se si janë përzgjedhur 68 përfituesit është njëra temë. Shuma me të cilën janë paguar disa prej veprave – që arrin edhe në 7 mijë euro – është tjetra. Vetëm ky anulim – që MKRS-ja e ka marrë pa konsultuar edhe ata të cilëve ua ka ngarkuar punën e vlerësimit të veprave – i kushton buxhetit të shtetit 3 mijë euro. Nga 500 euro u detyrohet anëtarëve të dy jurive. E para mori në shqyrtim 400 vepra sa kanë konkurruar, e dyta dha vlerësimin përfundimtar.

Por krejt buxheti prej çerek milioni euro, apo më saktësisht 247 mijë euro, sipas të gjitha gjasave shkon në suficit. Në MKRS kanë sqaruar jozyrtarisht, se këto mjete – që janë marrë nga buxheti prej pesë milionësh nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike – nuk ka se si t’i shfrytëzojë ndryshe pos nëpërmjet Thirrjes. “E për të nuk ka më kohë pasi deri në fund të vitit kanë mbetur edhe tri javë”, ka qenë sqarimi që ka dhënë jozyrtarisht MKRS-ja. Dy veta me pozita drejtuese tash e një dekadë e kanë thënë një gjë të tillë.

“Anulohet e gjithë procedura e Thirrjes publike të blerjes së veprave të artit të artistëve vendorë – Pakoja e Ringjalljes Ekonomike e datës 08. 10.2021”, shkruhet në pikën e parë të vendimit trepikësh, dy prej të cilave janë krejt teknike. Nuk jepet ndonjë sqarim shtesë. Është nënshkruar nga zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, nja tri orë pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka takuar grupin e artistëve protestues kundër procesit dhe mënyrës se si u vlerësuan veprat që bleu shteti. Ndryshe prej vendimit që s’jep arsyetime a sqarime, ministri Çeku i ka dëgjuar e pritur ato prej artistëve protestues kur ka dalë t’i takojë në oborrin e MKRS-së. I ka përshëndetur të parët në rresht, me grusht.

Piktori Hajrush Fazliu, profesor në pension i Fakultetit të Arteve, ka qenë i pari që ia ka numëruar ministrit Çeku arsyet që i kanë shtyrë të dalin e ta kontestojnë procesin. Ka thënë se gjithçka duhet të rishikohet. Ka kontestuar jurinë me emra të përveçëm.

“Komisionit në përbërje me një personalitet që më tepër luan rolin e akrobacioneve të saja artistike, një matrapaze dhe një krijuese që veten e quan se bota e artit sillet rreth saj, e quajtur profesoreshë ordinare Zake Prelvukaj, nuk ia njohim opinionet e tyre”, ka thënë Fazliu, vepra e të cilit është diskualifikuar nga thirrjet publike. Ai ka pasur vërejtje edhe për çmimet me të cilat ishin vlerësuar punimet. Ka thënë se maksimumi ishte dashur të jetë 3 mijë euro. Por, vetë Ministria e Kulturës ka qenë ajo që me Thirrje, ka caktuar që veprat mund të blihen prej 1 mijë e 500 deri në 7 mijë euro. Ndërkaq, vetë artistët konkurrentë ia kanë dhënë çmimin veprës së vet e juria ka dhënë fjalën e fundit.

Artistët e tjerë në grupin e protestuesve kanë thënë se ka konflikt interesi në disa raste. Sipas tyre, në mesin e përfituesve ka të tillë që janë të angazhuar në institucionet kulturore.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se vlerësimi i veprave u ka takuar dy jurive profesionale. Sipas tij, qëllimi ka qenë shumë i mirë dhe në secilin rast do të kishte pakënaqësi. Para protestuesve është zotuar se MKRS-ja do ta rishqyrtojë procesin.

“Unë do të kujdesem për integritetin e procesit, pa e gjykuar e paragjykuar asnjëherë pjesën profesionale dhe artistike, sepse nuk i takon ministrit. Por na mbetet që së shpejti t’ju komunikojmë edhe publikisht për vendimin që e marrim”, u ka thënë ai artistëve. Vendimi për anulim të procesit është marrë nja tri orë më pas.

Piktorja Zake Prelvukaj e kontaktuar nga KOHA nuk ka dashur t’i komentojë zhvillimet e fundit. As akuzat e Hajrush Fazliut. Pas daljes së rezultateve të vlerësimit, ajo kishte lëvduar procesin dhe vetë ministrin e Kulturës, për nismën që të blihen vepra të artit.

KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim edhe nga Sislej Xhafa, por deri në orët e mbrëmjes, Xhafa nuk është përgjigjur.

Për të vlerësuar aplikacionet janë emëruar dy juri. Në jurinë e parë ishin Zake Prelvukaj, Arta Agani dhe Vesa Sahatçiu. Sipas MKRS-së, treshja ka bërë vlerësimin e projekteve në shkallën e parë. Kurse në shkallën e dytë veprat e përzgjedhura janë vlerësuar nga “juria me përbërje vendore dhe ndërkombëtare” në përbërje të Sislej Xhafës, Eleni Laperit dhe Dita Starovës-Qerimit.

Të mërkurën, KOHA ka raportuar se emra të njohur të artit në vend, veprat e të cilëve janë ekspozuar e edhe shitur jashtë Kosovës, e kanë kritikuar procesin.

Skulptori Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kishte thënë se i ka pëlqyer ideja që MKRS-ja të ketë fond të vetin të veprave të artit. “Me rendësi është që Ministria tash e ka fondin e vet dhe shpresoj që edhe në vitet në vijim të vazhdojë me blerjen e veprave më të mira”, kishte thënë ai. Sipas Mulliqit, është dashur që juria të japë vlerësim financiar e jo MKRS-ja të përcaktojë çmime.

Adem Rusinovci, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, kishte thënë se nuk e ka të qartë se si një artist pranon t’i vlerësohet vepra nëpërmjet një fotografie. Sipas Rusinovcit, në asnjë vend normal në botë nuk emërohet një juri prej politikës për të blerë vepra që një ditë do të shkojnë në një muze, pasi muzeu duhet t’i bëjë vetë politikat e veta. “Kam parë çmime astronomike të blerjes që nuk janë as në Evropë. Të shitet një fotografi 6 mijë e 7 mijë euro edhe për gjermanët është shtrenjtë”, kishte thënë ai.

Ministria e Kulturës nuk ka dalë me ndonjë sqarim publik sa i përket anulimit të procesit të blerjes së veprave të artit. Vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, artistëve protestues u ka thënë se blerja e veprave do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Bile, ka paralajmëruar se thirrja e radhës do të hapet qysh në fillim të vitit. Por nuk ka folur për ndonjë dizajnim tjetër të konkursit. Me këtë të tetorit, nuk u kanë dalë hesapet mirë.