Kulturë

Franca pret “Pesë stinët e armikut të popullit”, Ministria s’e hap kuletën

Descriptive Text

Të kota kanë qenë pritjet e ekipit të “Pesë stinëve të armikut të popullit” qysh prej qershorit të sivjetmë, kur sapo kishte marrë ftesën për në Francë i ishin drejtuar Ministrisë së Kulturës me kërkesë për rreth dy mijë euro mbulim shpenzimesh të udhëtimit. Të martën, qendra “Multimedia” ka rikujtuar se po niset për në festivalin “Sens Interdits” në Lyon. “Diçka e çuditshme dhe fort befasuese – megjithëse jo edhe e papritshme”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj, i cili e ka shkruar tekstin e shfaqjes

Pavarësisht se Qeveria e Kosovës nuk i gjeti rreth dy mijë euro që ta ndihmojë prezantimin e një shfaqjeje teatrore në Francë, “Pesë stinët e armikut të popullit” nuk do ta ndalë rrugën. Qysh në qershor i kishin kërkuar Ministrisë së Kulturës që ta përkrahte udhëtimin vetëm me bileta për avion. E në ditën e 23-të të këtij muaji në festivalin ndërkombëtar “Sens Interdits”, në kuadër të programit “Theatre de l’urgence” në Lyon do të jepet për publikun shfaqja nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt e me tekst të Jeton Neziraj. Një ditë më pas ajo do të reprizohet në festivalin që ka nisur në vitin 2009, e që ka për synim që të nxjerrë në pah problemet që i trajton ai që njihet si “teatër politik”.

Në shfaqjen e qendrës “Multimedia” luajnë aktorët: Armend Smajli, Shpetim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj dhe Verona Koxha, kurse muzikantët janë: Drin Tashi, Tomor Kuçi, dhe Arbër Salihu. Skenografinë dhe kostumet janë të realizuara nga M. Nurullah Tuncer, muzikën e ka komponuar Irena Popovic-Dragoviq, ndërsa koreografinë Gjergj Prevazi.

E gjithë ngjarja e “armikut të popullit” ftillohet përreth arkitektit (Armend Smajli), administratorit harrakat Pierre dhe Metit, shef i një kompanie të fuqishme ndërtimore.

Ndërkohë, administratori ndërkombëtar i Prishtinës, një francez i pispillosur (interpretuar nga Shpëtim Selmani), nuk tregohet aspak empatik me nevojat e njerëzve që i administron. Nuk e duron dot fjalën “luftë”, përderisa shfaqet i butë ndaj kompanive ndërtimore që po e betonizonin Prishtinën.

Në anën tjetër, arkitekti nuk pushon së vizatuari planin urbanistik të qytetit të tij ku nuk tolerohen ndërtimet e egra. Dhe përplasja e tij me administratorin francez është e pashmangshme.

Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” ishte dhënë premierë edhe në sallën e madhe të TKK-së në vitin 2019, si shfaqje mysafire prodhuar prej qendrës “Multimedia”. Teksti dramatik i Nezirajt, që është bazuar përhumbshëm në një dramë të Henrik Ibsenit, ka teatralizur Prishtinën e pasluftës në betejën e humbur përballë ndërtimeve pa leje.

Neziraj kërkesën për përkrahje ndaj MKRS-së e ka përmendur edhe të martën.

“Një kërkesë që patëm nisur në adresë të MKRS-së për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për Lyon nuk qe aprovuar. Diçka e çuditshme dhe fort befasuese – megjithëse jo edhe e papritshme”, ka thënë dramaturgu Neziraj.

“Multimedia” i është drejtuar MKRS-së me një kërkesë për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, sapo kishte marrë ftesën. (https://www.koha.net/kulture/275520/qeveria-si-jep-2-mije-euro-per-prezantimin-e-pese-stineve-ne-france/)

“Bazuar në kërkesën tuaj për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit. Me keqardhje ju njoftojmë se për shkak të obligimeve financiare dhe planifikimeve buxhetore që ka Ministria, nuk do të mund t’ju sigurojmë shpenzimet e udhëtimit”, shkruhej në përgjigjen që i kishte kthyer MKRS-ja. Ekipi asokohe kishte thënë se do të kërkonin mbështetje prej ambasadave.

Neziraj ka treguar se ish-ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, kishte shprehur vullnetin të ndihmonte, megjithatë ai ndërkohë e kishte përfunduar mandatin.

“Shfaqjet e Kosovës udhëtojnë rrallë në festivale – e edhe më rrallë udhëtojnë në festivale kredibile si ky në Lyon. Çdo prezantim ndërkombëtar është i rëndësishëm, duke pasur parasysh që jemi një skenë teatrore shumë e izoluar dhe me mundësi të limituara. Për më tepër, është me rëndësi që të prezantohemi me krijime artistike kredibile, por edhe me tema të rëndësishme, si kjo e shfaqjes sonë” ka thënë Neziraj.

Shfaqja do të jetë e hapur për publikun francez në Théâtre de La Renaissance në Oullins. Ajo shpalos historinë e arkitektit Rexhep Luci që u bë ikonë për Prishtinën me këmbënguljen e tij për t’iu vënë fre mijëra ngrehinave të betonta e shumëkatësheve që janë sot e gjithë ditën krimi i pafalshëm ndaj rregullit urban. Në natën e 10 shtatorit të vitit 2000, një mesoburrë me mustaqe po kthehej nga një prezantim në hotelin “Grand”, ku kishte shpërfaqur strategjinë e re urbane “Vizioni 2000-2005”. Arkitekti Luci nuk do të jetonte më gjatë se ajo natë tragjike që vizionin e tij e preu me plumba.

Kjo shfaqje ishte vlerësuar lart edhe nga vetë kryeministri aktual Albin Kurti.

“Ajri i ftohtë ishte i mbushur me dramë. Para nesh: historiku i rrënimit të qytetit përmes ndërtimit për të ardhmen. Realiteti tragjik i ribërë tragjedi reale. Nga mbrëmë, shfaqja ‘Pesë stinët e armikut të popullit’ e Jeton Nezirajt e me regji të Blerta Nezirajt nuk më lë të qetë. Një përpjekje epike për të ilustruar shkatërrimin të cilin e popullojmë dhe mbijetojmë”, kishte shkruar në rrjete sociale kryeministri Kurti pasi e kishte parë shfaqjen. Por me fort qetësi Qeveria e tij kishte thënë se nuk mund ta përkrahë udhëtimin e ekipit në Francë.