Kulturë

“FemArt” në thyerje barrierash gjinore edhe me veshjet e Bradës

Me ceremoni joformale është hapur edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste, “FemArt” që vjen me moton “F... seksizmit”. Sfilata e modës “Vjeshta 21 Seksizmi” me kreacionet e Yllka Bradës i ka prirë serisë së ngjarjeve. Edhe aty kapërthehet tema e festivalit, që depërton me delikatesë në veshje ose më theksueshëm në mënyrën e prezantimit të tyre në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Si një nga problemet jo të rralla, është vetë seksizmi. Të jesh grua në Kosovë do të thotë të shihesh si më pak e vlefshme dhe të mos trajtohesh në mënyrë të barabartë dhe me të njëjtin respekt si burrat. Qoftë në aspektin profesional apo atë personal. Të lindësh si vajzë do të thotë të lindësh me një sërë pritshmërish të imponuara nga shoqëria. Të jesh e qetë dhe të mos thuash shumë, të jesh e butë, e bukur dhe të jesh pasive. Të kesh profesione “femërore”, si infermiere, mësuese, sekretare dhe mbi të gjitha të mbash titullin nënë. Krejt këto janë si konstatime të mirëqena, por “FemArti” provon të kundërtën. Vjen si një lloj rebelimi edhe me moton “F... seksizmit”. Qysh në hapje të edicionit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste, të premten mbrëma, u bë e qartë se krejt qëllimi e kryefjala e ngjarjeve do të jetë seksizmi. Ka për qëllim vetëdijesimin rreth këtij fenomeni, me të cilin gratë dhe vajzat në Kosovë ballafaqohen çdo ditë. Dhe këtë e bën jo vetëm nëpërmjet diskutimeve e thirrjeve për aktivizëm, por edhe me art, tek mundohet të hapë diskutimin rreth roleve gjinore, duke thyer barrierat dhe duke biseduar për sfidat e mbetura për t’u kapërcyer. Një festival që për qëllim ka shkatërrimin e normave dhe strukturave patriarkale.

Foajeu i Teatrit Kombëtar të Kosovës ishte i mbushur me vizitorë të festivalit. Me një hapje joformale stafi dhe vullnetarët e këtij edicioni pritën mysafirët e tyre me një koktej rasti.

serisë së ngjarjeve i priu një film i shkurtër rreth koleksionit të disenjatores Yllka Brada, i realizuar enkas për edicionin e nëntë të “FemArtit”. Edhe aty kapërthehet tema e festivalit, që depërton me delikatesë në veshje ose më theksueshëm në mënyrën e prezantimit të tyre.

“Vjeshta 2021 Seksizmi”, është titulli i kreacioneve më të reja të Bradës, të cilat u shpalosën edhe fizikisht. Skenën e TKK-së, Brada bashkë me “FemArtin” për rreth gjysmë ore e kanë shndërruar në një pistë mode. Duke u munduar të thyejë barrierat gjinore, Brada ndryshoi rolet në bazë të veshjeve, ku djemtë veshën fustane, një copë veshje që i përket idesë tradicionale të feminitetit, ndërsa vajzat ishin të veshura me rroba të konsideruara më pak “femërore”.

“Unë dhe Zana njihemi prej një kohe shumë të gjatë, ku edhe kemi bashkëpunuar edhe më parë. Këtë vit kam vendosur të angazhohem me këtë edicion të ‘FemArt 2021’ me temë seksizmin, një bashkëpunim shumë i mirë i cili ka prodhuar një koleksion shumë interesant. Kjo është hera e parë që unë prezantoj në një festival, i cili më ka dhënë mundësinë të krijoj diçka më unike”, ka thënë Brada.

Image
Hapja joformale e “FemArtit” në foajeun e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të premten mbrëma

Ajo ka treguar se duke marrë parasysh trendet e fundit, ku shumë vajza veshin veshje “mashkullore” dhe shumë meshkuj veshin veshje “femërore” nuk ka qenë aspak e vështirë të krijojë një koleksion të tillë. E ka cilësuar këtë sfilatë dhe bashkëpunim me festivalin si diçka “shumë të bukur, shpirtërore dhe në të njëjtën kohë artistike”. Veshjet e bukura dhe shumëngjyrëshe të Bradës krijojnë një perspektivë të re të asaj që shihet si femërore. Aktorja Rina Krasniqi u ka prirë modelëve në parakalim.

Yllka Brada është grua e suksesshme edhe në arenën ndërkombëtare, shembull edhe për gjeneratat më të reja. Por jo të gjitha gratë kanë mundësinë e zhvillimit të potencialit të tyre. Pikërisht këtë synon “FemArti”, që cilësohet si i pari dhe i vetmi festival feminist në Kosovë.

“Një nga problemet kryesore që ndërlidhet me mizogjini dhe mungesën e zhvillimit të potencialit të plotë të grave në të gjitha skenat, është pikërisht seksizmi. Seksizmi në jetën e përditshme si një grua, vajzë, si një nënë, bashkëpunëtore, si kolege si një grua që ka potenciale të madha po nuk mund të depërtojë për shkak se shihet si grua, si e tillë shihet si më e dobët, si më pak e vlefshme”, ka thënë Zana Hoxha, drejtoreshë e “FemArtit”, në një deklaratë për KOHËN, në ceremoninë e hapjes. Nëpërmjet motos “F... seksizmit”, ajo ka thënë se kanë dashur ta sulmojnë këtë problem. Atë do ta adresojnë edhe tek institucionet, kur një raport i Ariana Qosaj-Mustafës do të prezantohet në një konferencë në Kuvendin e Kosovës.

“FemArti” fillimisht qe paraparë të mbahej në javën e fundit të shtatorit. U shty për shkak të pandemisë.

Për këtë, Zana Hoxha ka thënë se organizimi ka qenë më sfiduesi deri më tani.

“Kështu që është një festival i cili sivjet përveçse u organizua në mënyre unike, edhe po shfaqet në mënyrë unike, sepse ka shumë materiale të regjistruara të cilat do t’i lëshojmë në livestream, por ka edhe shumë gjëra që do të shkojnë live dhe do të shkojnë edhe në livestream”, ka thënë Hoxha.

Në livestream ka shkuar edhe koncerti “Kthimi te rrënjët” i Ceylan Tacit, i kantautores shqiptare nga Maqedonia e Veriut, e cila jeton në Belgjikë, me të cilën është përmbyllur programi i natës së parë. Këngë unike në shqip, anglisht e turqisht, me të cilat ajo shpalos edhe histori personale, Taci i ka sjellë për publikun shoqëruar nga Alzan Gashi në piano, Arbër Salihu në kitarë dhe Drin Tashi në bateri.

Image
Veshjet e bukura dhe shumëngjyrëshe të Bradës krijojnë një perspektivë të re të asaj që shihet si femërore

Akuza për shfrytëzimin e skenografisë së Teatrit

Ende pa u përmbyllur nata e parë e “FemArtit”, ka ardhur reagimi i parë. Regjisori Erson Zymberi ka pasur akuza në lidhje me shfrytëzimin e skenografisë së shfaqjes së Teatrit Kombëtar të Kosovës për sfilatën e modës, “Vjeshta 21 Seksizmi”.

“E tmerrshme, fyese, denigruese dhe absolutisht e padrejtë artistike shfrytëzimi i skenografisë së shfaqjes ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’ nga ky veprim skandaloz i këtij evenimenti. Marre për Teatrin Kombëtar e marre për ata që lejuan një veprim të tillë”, ka shkruar Zymberi. Ai është regjisori i shfaqjes “Të vdekurit...” me tekst të Beqir Musliut, e që është në repertorin e TKK-së edhe këtë muaj.

“Ne nuk e kemi marrë skenografinë”, ka thënë Zana Hoxha, drejtoreshë e “FemArtit”, e kontaktuar nga KOHA, të premten vonë. “Kreatorja ka biseduar me regjisorin dhe Teatrin Kombëtar. Kjo pistë është përdorur edhe në shfaqjen e David Gothardit, ‘Hamleti’, në vitin 2001 dhe është pronë e Teatrit Kombëtar”, ka thënë ajo.