Kulturë

“Ekrani i artit” për qasjet bashkëkohore nëpërmjet kinemasë

Shfaqja e gjashtë filmave e takimet me artistë ndërkombëtarë janë në fokus të edicionit të parë të festivalit të filmit “Ekrani i artit” në Shkodër. I organizuar nga “Art House”, që drejtohet nga artisti shqiptar me nam botëror, Adrian Paci, në kuadër të festivalit, për tri ditë, prej 7 deri më 9 korrik, në kinemanë “Millenium” do të shfaqen gjashtë filma, përderisa në “Art House” do të organizohen takime me artistë, shkruan sot Koha Ditore.

“1395 Days without Red”, film i Anri Salës, “Damien Hirst: Thoughts, Work, Life” nga britanezi Chris King, “Meeting with Olafur Eliasson” nga braziliani Marco Del Fiol, ”Meret Oppenheim ou le Surréalisme au féminin”, nga gjermania Daniela Schmidt-Langels, “Turning the Art world Inside Out”, nga britanezi Jack Cocker dhe “William Kentridge: Anything is Possible” filmi i Susan Sollins, Charles Atlas do të jepen për tri ditët e festivalit. E krahas takimeve ku do të diskutohet për filmat në qendrën kulturore “Arka”, në “Art House” do të zhvillohen edhe dy takime të veçanta me kuratorin italian Leonardo Bigazzi, i cili është bashkëpunëtor i “Lo schermo dell’arte Film Festival” në Firenze, ku është i angazhuar si kurator e drejtues i disa programeve të festivalit.

Sipas një komunikate për media, festivali “Ekrani i artit” ofron një përzgjedhje filmash nga festivali ndërkombëtar “Lo Schermo dell’Arte Film Festival” i cili organizohet që nga viti 2008 në qytetin e Firences në bashkëpunim me institucione kulturore, qendra arti, akademi e universitete italiane e ndërkombëtare. Sipas komunikatës, i themeluar si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, në të prezantohen çdo vit filma, dokumentarë mbi artin bashkëkohor të shoqëruar me instilacione, video, takime me artistë e muratorë e rezidenca për artistë ndërkombëtare.

“Një ndër projektet më të rëndësishme të këtij festivali është ‘VISIO European Programme on Artists’ Moving Images’ - një punëtori për artistë nën 35 vjeç që punojnë me imazhet në lëvizje të përzgjedhur me anë të një thirrjeje të hapur në bashkëpunim me akademi, shkolla arti dhe rezidenca për artistë evropianë”, shkruhet në komunikatë. Sipas njoftimit, në kuadër të bashkëpunimit me “Art House”, formati i “Lo Schermo dell’Arte” vjen për herë të parë në Shqipëri me një përzgjedhje filmash, dokumentarësh, videosh që janë shfaqur ndër vite në këtë festival. Në komunikatë shkruhet se ndër të ftuarit e veçantë për prezantimin e festivalit pos Leonardo Bigazzit është edhe Silvia Lucchesi, drejtoreshë e “Schermo dell’Arte”, historiane arti, profesoreshë dhe kuratore e artit bashkëkohor. “Ditët e festivalit, krahas projeksioneve të filmave, do të shoqërohen me takime dhe diskutime mbi filmat e prezantuar pranë qendrës rinore ‘Arka’. Krahas tyre, kuratori i projektit ‘VISIO’, Leonardo Bigazzi, do të organizojë takime individuale me artistë të rinj shqiptarë që punojnë në fushën e videoartit, të cilët do të përmbyllen nga një prezantim që vetë Bigazzi do t’u bëjë punimeve të lindura në kuadër të këtij projekt’”, shkruhet në komunikatë.