Deri sivjet, nuk ka pikturuar kurrë më parë në Kosovë, por Petrit Markaj ia ka vënë synim vetes që me kthimin e tij nga Montbéliard i Francës në Prizren, ta sjellë edhe një ekspozitë për shënimin e 108-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit të tij tremujor në kryeqytetin historik të Kosovës, Markaj i ka vënë cak vetes që të sjellë në ngjyra figurat më të njohura kombëtare. I ka portretizuar, ashtu siç i ka parë vetë piktori. Në qendër të ekspozitës e ka portretin e ish-ushtarit të UÇK-së, Xhafer Kadiri, i cili do të vendoset në ankand me qëllim që të gjitha të ardhurat t’i dhurohen atij.
Fotografia ikonike ishte shkrepur në nëntorin e vitit 1998 në Reti të Rahovecit dhe lotët në fytyrën e Kadirit shprehnin dhimbjen e thellë për humbjen e dy miqve të tij komandantë. Ish-ushtari nga Rahoveci as sot e kësaj ditë nuk e ka kuptuar se kush e kishte shkrepur fotografinë.
E, ata që e shohin Markajn e identifikojnë lehtë si piktor. I veshur në të zeza i dallohen gjurmët e ngjyrave në rroba. Ashtu janë edhe pikturat e tij, plot kolorit. Ani pse të gjitha pikturat e tij kanë të bëjnë me rrënjët prej nga vjen, thotë se nuk i ka ikur stilit të tij.
“Artisti gjithnjë duhet të ketë një propozim të ri, ndryshe nga ajo se si është fotografia”, shprehet ai. Në portretin e ish-ushtarit të UÇK-së ka vendosur simbole në japonisht e sfondin me ngjyrat e flamurit të Japonisë.
“Këto simbole janë në japonisht, simbolizojnë kamikazët, njerëzit që shkojnë dhe nuk e dinë a do të kthehen”, thotë Markaj. Në këtë pikturë, disa herë ka ngritur një pyetje në gjuhën frënge “Indignez-vous?” (“A nuk idinjoheni?”) Madje aty ka vendosur edhe një portret të diplomatit Stephane Hessel.
“Edhe ky ka qenë luftëtar në Luftën e Dytë Botërore dhe kur e ka parë se çfarë është bërë Franca, ka thënë ‘Indignez-vous?’, në kuptim që “Indinjantë, zgjohuni prej gjumit se diçka nuk është në rregull, për çfarë kemi luftuar?”, ka thënë Markaj, i cili thotë se duhet kushtuar respekt të veçantë ushtarëve anonimë, të cilëve thotë se ua ka borxh mundësinë e kthimit në një vend të lirë.

Edhe pse ekspozita do të hapet për Ditën e Flamurit, Markaj thotë se ka një arsye përse në pikturat e tij s’ka vendosur flamur a ngjyra kuq e zi.
“28 Nëntori është Dita e Flamurit, por flamur nuk kam pikturuar, e kanë pikturuar ata që e kanë bërë simbol flamurin tonë”, thotë Petrit Markaj porsa fillon bisedën për ekspozitën. Me këtë qëllim, ai ka pikturuar shumë nga figurat e njohura kombëtare si Isa Boletini, Adem Jashari, Azem dhe Shotë Galica, Nënë Tereza, Faik Konica e Ibrahim Rugova. Diku te portretet e tyre e ka shkruar më të madhe “Yes”, që sipas tij, kjo simbolizon gatishmërinë e tyre për t’u përballur me luftën pa pyetur për çmimin që mund ta paguajnë. Markaj vazhdimisht ngulmon në atë se heronjtë i ka pikturuar ashtu siç i sheh ai. Meqë 28 Nëntori është data e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, Markaj e ka imagjinuar atë si 65-vjeçar.
“Ky është hero i pavdekshëm, e plaka pak. Ia dhashë 22 vjet”, thotë Markaj.
Duke iu bindur karakterit të figurave kombëtare që i ka pikturuar, disa i ka pikturuar më ngadalë e disa më shpejt. Thotë se Adem Jasharin nuk kishte si ta punonte ngadalë, andaj edhe vijat në formësimin e portretit e tij janë më të gjata.
“Është pikturuar shumë shpejt se ky ka jetuar me pasion. Adem Jasharin nuk mund ta pikturoj ngadalë, sepse ky s’ka qenë Albert Einsteini, ky s’ka shkruar ekuacione. Ky ka qenë luftëtar”, thotë Markaj, tek shton se me ngadalë i kishte pikturuar Nënë Terezën dhe Ibrahim Rugovën. Ai thekson se stilin duhet t’ia përshtatë historisë që përmban piktura.
“Ibrahim Rugovën e kam pikturuar më ngadalë, sepse ka qenë pak më i qetë. Në pikturën e tij, vijat janë ma të shkurtra”, tregon Markaj.
Nue Spaqi, është organizator i ekspozitës.
“Emri i ekspozitës është vendosur ‘28 nëntori’ dhe hapja e ekspozitës do të jetë më 28 nëntor që përkon me dy data: Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe daljen e parë të UÇK-së në skenë dhe motivi i ekspozitës lidhet me këto dy data”, thotë Spaqi.
Ekspozita “28 Nëntori” do të zërë vend në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren, ku do të qëndrojë deri më 4 dhjetor.