Kulturë

Vidhet kablloja duke e lënë në terr Kalanë e Rozafës

Tre muaj pasi u bë ndriçimi i strukturave të Kalasë së Rozafës në Shkodër, monumenti është bërë pre e hajnave. Gjatë natës persona të paidentifikuar kanë gërmuar rreth mureve duke i nxjerrë kabllot elektrike. Kanë vjedhur një pjesë të tyre, duke pamundësuar ndriçimin e një ane të Kalasë.

Këtë dëmtim, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cilësoi si krim ndaj trashëgimisë kulturore të këtij qyteti. E drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Shkodër, Majlinda Lacaj, veprimin e ka parë si akt të shëmtuar të bërë nga individë të papërgjegjshëm.

“Duke qenë se projekti është në proces zbatimi. Normalisht që është paramenduar që të jetë një shërbim rojash për ruajtjen e sistemit të Kalasë. Është e pamundur që të realizohet nga punonjësit e DRKT Shkodër, pasi burimet njerëzore janë shumë të pakta, sipërfaqja është 9 hektarë”, ka thënë Lacaj. Sipas saj, jo se nuk është menduar, por për momentin është i pamundur rekrutimi apo lidhja e një marrëveshjeje për blerjen e një shërbimi roje, pasi ky projekt po zbatohet nga Ministria e Kulturës me buxhetin e shtetit”. Deri në përfundimin e punës dhe marrjes në dorëzim të të gjitha punimeve nuk mund të ketë një blerje shërbimi të tillë”, ka shpjeguar Lacaj.

Sipas saj, ndriçimi i Kalasë kishte një ndikim pozitiv në komunitet dhe është e dhimbshme ajo çfarë ka ndodhur. “DRKT sapo konstatoi rastin ka bërë denoncimin në Polici edhe jemi në pritje”, ka thënë ajo.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër që rrethohet nga lumenjtë Drin, Kiri dhe Buna. Muret e kësaj kalaje rrethojnë pjesën e sipërme të kodrës në të cilën ndodhet kjo kala. Kalaja e Rozafës është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948. Gjurmët e mureve të kësaj kalaje Ilire datojnë që nga shekulli III para Krishtit.

Hyrjen kryesore Kalaja e ka nga verilindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tri oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dala drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura.

Brenda Kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo, si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, të quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty janë depoja, burgu, si dhe Xhamia e Fatihut.

Oborri komunikon me hyrjen kryesore të Kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416 u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të Kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja.