Me vendimin e mbrëmjes së të dielës, Qeveria e ka çuar deri në 30 për qind mundësinë e shfrytëzimit të hapësirave ku mbahen aktivitetet kulturore. Kjo ka bërë që disa institucione të kenë mundësi t’i kthehen programit të rregullt pas dy javësh. Masat e vendosura nga 7 prilli deri në ditën e 18-të të këtij muaji pos konfuzitetit kishin ndikuar në pezullim të ngjarjeve kulturore te disa institucione. Lejohej që hapësirat të shfrytëzoheshin vetëm deri në 20 për qind të kapacitetit. Si pasojë qenë mbyllur edhe kinematë
Masat e reja në raport me pandeminë do t’i lënë ngjarjet kulturore që të “frymojnë” më lirshëm. Me vendimin e mbrëmjes së të dielës, Qeveria e ka çuar deri në 30 për qind mundësinë e shfrytëzimit të hapësirave ku mbahen aktivitetet kulturore. Kjo ka bërë që disa institucione të kenë mundësi t’i kthehen programit të rregullt pas dy javësh.
Masat e vendosura nga 7 prilli deri në ditën e 18-të të këtij muaji, pos konfuzitetit kishin ndikuar edhe në pezullimin e ngjarjeve kulturore te disa institucione. Lejohej që hapësirat të shfrytëzoheshin vetëm deri në 20 për qind të kapacitetit. Si pasojë qenë mbyllur edhe kinematë. E të dielën në mbrëmje Qeveria ka prekur shifrat e përqindjes.
“Institucionet vartëse të MKRS-së dhe të komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, Filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme) lejohen të punojnë duke shfrytëzuar deri në 30 për qind të hapësirës/sipërfaqes së objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime)”, shkruhet në pikën 35 të vendimit të Qeverisë. Ky vendim do të jetë në fuqi për dy javët e ardhshme dhe më pas do të veprohet bazuar në situatën pandemike në vend.
Lajmi i së dielës mbrëma është mirëpritur nga Filharmonia e Kosovës. Kori i Filharmonisë së Kosovës planifikonte koncerte në fillim të muajit. Deri asokohe shfrytëzoheshin deri në 40 për qind të hapësirave për publik. Por me vendimin e para dy javëve, kur u lejua shfrytëzimi i vetëm 20 për qind të hapësirave, Filharmonia pezulloi programin e paraparë.
“Ne nuk e kemi ndalur punën, por koncertet. Tash e kemi një lajm pozitiv. Më datën 22 e kemi koncertin e parë me ansamblet frymore të Filharminisë. Është dashur të mbahet më datë 15, por kemi pritur që të kalojnë kufizimet paraprake. Tash na rritet hapësira e publikut. Lirimi i masave ndikon edhe në aspektin psikologjik. Ne do t’i respektojmë masat në përpikëri”, ka thënë të dielën mbrëma drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari. Më 27 dhe 28 të këtij muaji do të mbahen koncertet e Korit të këtij institucioni.
“Janë ato që do të mbaheshin më datën 7 dhe 8, por nuk rrezikuam asokohe shkaku i masave. Më 29 Orkestra do të jetë në Prizren”, ka thënë Jashari, i cili ka shtuar se shpreson që dita-ditës masat të lirohen edhe më.
Teatri Kombëtar i Kosovës kishte pezulluar aktivitetin para dy javësh. Planifikohej që me datën 9 të jepej premiera e shfaqjes “La Rrem” me tekst të Arian Krasniqit dhe regji të Kushtrim Koliqit. U mbajt një premierë e mbyllur.
Drejtori i përgjithshme i TKK-së, Naser Shatrolli, ka thënë se nga e mërkura do të fillojnë me repertor në skenën e vogël.
“Në skenën e madhe nuk ka shfaqje, meqë një aktore rezidente është me COVID-19. Ndërsa premiera ‘La Rrem’ është shtyrë fakti që njëra nga aktoret është me COVID-19. Premierën do ta kemi nga fundi i muajit, eventualisht në fillim të majit”, ka thënë Shatrolli.
Baleti Kombëtar i Kosovës nuk e ka ndalur aktivitetin fare. Me koreografi të amerikanit Robert North, të enjten e kaluar është dhënë premiera e shfaqjes “Entre dos Aguas” (Midis dy ujërave). Numri i të pranishmëve në sallë ishte rreth 100 veta, pavarësisht që masat përcaktonin jo më shumë se 60. Kryeministri Albin Kurti me një pjesë të kabinetit qeveritar kishin qëndruar në një hapësirë ku shkeleshin masat që vetë i kishin aprovuar. Aty ishte edhe presidentja Vjosa Osmani. Por me të parë numrin e të pranishmëve, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte refuzuar që ta shikonte premierën. Kishte kritikuar përgjegjësit e sallës, duke kërkuar që të nxirreshin disa persona jashtë. Kishte paralajmëruar se vetë do ta shikonte shfaqjen në reprizën e parë, të premten. Por nuk kishte shkuar.
Balerini Kreshnik Musolli, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se mirëpresin masat e reja.
“Sigurisht që janë një lajm i mirë, pasi shfaqjet jepen për publik dhe sa më shumë që rritet prania e numrit të njerëzve, ne e plotësojmë misionin tonë si institucion”, ka thënë ai.
Për dy javë nuk ishin hapur as pikat e rrjetit të kinemave “Cineplexx” në Prishtinë e Prizren. Por nga e marta do t’i ndezin ekranet.
“’Cineplexx’ do të rihapet këtë të martë duke i respektuar të gjitha masat për parandalimin e COVID-19, sipas protokollit të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ne po shpresojmë shumë që të largohet sa më parë edhe ora policore, e cila po e pamundëson operimin normal të kinemasë, duke na pamundësuar oraret e mbrëmjes për shfaqje të filmave, të cilat normalisht kanë më së shumti vizitorë”, ka thënë Dëfrim Puka, menaxher i marrëdhënies me publik në “Cineplexx”. Me vendimin e ri lëvizjet e qytetarëve ndalohen nga ora 22:30 deri në 05:00.
Institucioneve të kulturës u ishin pezulluar aktivitetet më 13 mars të vitit të kaluar, kur u regjistruan edhe rastet e para me koronavirus në Kosovë. Muzeve dhe galerive u ishte lejuar puna prej 18 majit, kur shënohet edhe Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Teatrot dhe kinematë kishin qëndruar të mbyllura deri në fund të shtatorit. Bile, në fillim të shtatorit qendra “Multimedia” kishte organizuar një peticion, nëpërmjet të të cilit kërkohej hapja e teatrove.
Jeta kulturore është goditur nga pandemia sikurse edhe fushat e tjera. Shteti ia ka dalë që në fund të vitit të kaluar të ndihmojë një pjesë të artistëve individualë. Në marsin e sivjetmë është ndarë edhe një tjetër shumë mjetesh. Qeveria e Kosovës ia ka ndarë Ministrisë së Kulturës edhe 500 mijë euro nga Programi për rimëkëmbje ekonomike. Sipas vendimit të ekzekutivit, 300 mijë do të jenë për subvencione dhe transfere për kulturën, kurse 200 mijë për subvencione në trashëgimi kulturore. Me pjesën e parë, institucioni më i lartë kulturor në vend do të shlyejë obligime të konkursit për projekte kulturore për individë në kuadër të Programit për rimëkëmbje që ishte hapur vitin e kaluar. E me 200 mijë të tjera pritet të hapet një konkurs për organizata dhe individë për projekte në trashëgimi kulturore. Edhe ky konkurs do të jetë në kuadër të Programit për rimëkëmbje ekonomike. Por një pjesë e atyre që ka vite që janë akterë në këto dy fusha, konstatojnë se MKRS-ja është duke punuar pa kurrfarë analize dhe pa ndonjë plan. Një tjetër veprim i MKRS-së në raport me pandeminë ishte ai i javës së kaluar.
Ministria e Kulturës brenda 24 orëve ka anuluar dhe rishpallur gjashtë thirrje publike për mbështetje financiare të organizatave dhe individëve në fusha të ndryshme. Të hënën janë anuluar thirrjet e të martën janë rihapur, përfshirë edhe ato për projekte kulturore dhe artistike për këtë vit. Janë shtuar vetëm dy kritere. Krejt kjo për dikë është veç një “blerje kohe në kurriz të skenës kulturore”.
Konkursi për projektet kulturore e artistike për sivjet ishte hapur në ditën e dytë të shkurtit. Ishte mbyllur më 4 mars. Ishin emëruar komisionet vlerësuese. Por krejt ka rënë në ujë me urdhrin për anulim nga kabineti i ri me në krye ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.
Sipas arsyetimit të MKRS-së për anulimin e thirrjeve publike, ky institucion është duke punuar në rishikimin e politikave e – në rrjedhë të kësaj – edhe të planifikimit për mbështetje financiare të programeve që janë brenda fushëveprimtarisë së MKRS-së, në përputhje me programin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Krejt çfarë ka ndryshuar me konkursin paraprak janë dy kritere që janë shkruar.
Kërkohet që projektet të jenë me karakter “informativ, vetëdijesues e solidarizues në formë kreative artistike me rrethanat pandemike të shkaktuara nga COVID 19”.
“Aktivitetet të jenë të qasshme për publikun e gjerë, përmes formave digjitale të pjesëmarrjes”, është kriteri i dytë.