Kantautori i njohur serb, Gjorgje Ballasheviq, ka vdekur të premten në moshën 67-vjeçare, kanë njoftuar mediat serbe.
Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga familjarët. Ballasheviq vuante nga probleme kronike qe një kohë, ndërsa së fundmi u raportua se gjendja e tij ishte stabile.
Balasheviq, i lindur në Novi Sad, bëri famë me grupet “Zhetva” dhe “Rani Mraz”. Kënga e tij hit ishte “U razdeljak te ljubim”.
Në vitin 1982 nisi karrierën si solo-artist dhe u bë një nga kantautorët më të njohur në Jugosllavi.
Me këngët e tij, ashtu sikur edhe me intervistat dhe qëndrimet, Ballasheviq kishte nxitur jo pak polemika. Disa të tilla në vitet e ’90 ishin konsideruar edhe si antishqiptare.
Ballasheviq ishte bërë i njohur edhe si kritik i regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Kishte marrë edhe shtetësinë e Sllovenisë. Ishte ambasador i vullnetit të mirë për Komisionerin për Refugjatët në Kombet e Bashkuara.
Pas vitit 2000 nuk u shfaq në politikë deri më 2008, kur ishte pjesë e kampanjës së ish-presidentit serb Boris Tadiq.