“Ai u jep jetë qeseve të rëndomta të plastikës, duke i transformuar ato në koleksione që shpalosin natyrën e qetë: Ngrirë në kohë e varur në mur, për t’i bërë të pavdekshme zbulimet, mendimet dhe zemërimet e tija”, ka shkruar historiania e artit Lora Sariaslan, për artin e Driton Selmanit, ekspozita personale e të cilit do të hapet në Kopenhagë këtë muaj. “Letra dashurie” (Love Letters) titullohet ekspozita në të cilën Selmani artin e tij e shpërfaq në qese të plastikës. Përshkrimi më esencial që ua bën veprave është se ato përbëjnë më shumë pyetje sesa udhëzime apo përgjigje. Për të, krijimi i tyre është i lidhur ngushtë me atë që e kërkon me të vërtetë.
“Do të thosha më shumë një udhëtim rreth njohjeve të reja sesa krijim i definicioneve pa dalje”, ka thënë Selmani në një bisedë për KOHËN.
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët prej 27 qershorit deri më 25 shtator të këtij viti. Hapje zyrtare nuk do ketë, për shkak të rregullave të tashme mbi evenimentet dhe mbledhjet publike në Danimarkë. Por, edhe për shkak të politikës së hapësirës ekspozuese “Ta·da”, që nëse artisti nuk është prezent, nuk ka hapje zyrtare. Selmani nuk do të mund të jetë në Kopenhagën në vernisazhin e ekspozitës, pikërisht për shkak të rregullave dhe situatës së krijuar nga pandemia.
Për këtë cikël artisti nga Kosova është inspiruar nga një listë për blerjen e gjërave që ia ka dhënë gruaja e tij. E më kohë, këtë listë ai e ka zgjeruar me mendime të tij duke e përdorur qesen si një hapësirë ku mund të shprehet edhe dashuria.
“Ka ndodhur aksidentalisht, njëjtë si shumica e historive të dashurisë”, ka thënë Selmani për nismën e këtyre letrave. Ai nuk e ka në qejf formën dëshirore, andaj shumica e veprave nga seria “Letra dashurie” janë në kohën dëftore.
“Në duart e mia qeset mbeten një mjet për t’i përkujtuar gjërat ‘përgjithmonë’, një ekuivalencë e përafërt me jetëgjatësinë e qeseve. Një interes i përhershëm në pyetjen se si ne e perceptojmë botën dhe si ta kuptojmë dhe kornizojmë atë”, ka thënë Selmani. Sipas tij, “Letra dashurie” mbetet mjet për të mbajtur kujtime edhe mbi marrëzinë njerëzore duke ditur kohën e dekompozimit të tyre në natyrë.
“Një platformë e pafundme proteste mbi natyrën e natyrës sonë”, ka thënë Selmani. Artisti e ka filluar në vitin 2018 serinë e quajtur “Letra dashurie”. E në ekspozitën në Danimarkë, shumica e veprave janë të reja, të realizuara gjatë periudhës 2019-2020. Por, një pjesë e tyre tashmë ka qenë e ekspozuar edhe në ekspozita të tjera.
“Prej asaj kohe (v.j. viti 2018) e deri më tani këndvështrimet, qasja dhe mënyra e prodhimit të veprave mbi qese ka evoluar shumë. E vetmja gjë që vazhdon të jetë e njëjtë është qesja dhe bollëku i tyre në rrugët e Prishtinës”, ka thënë Selmani. Ka treguar se veprat që do të prezantohen në “Ta·da” janë përzgjedhur nga Anne-Louise Knudsen dhe janë një përzierje midis zbulimeve, mendimeve dhe zhgënjimeve ose një password për të hyrë në të pathënat e suspenduara në ajër.
“Ta·da” zë vend në lavanderi dhe ekspozitat hapën në atë mënyrë që veprat ekspozohen në murin ku janë të mbështetura makinat për larjen e rrobave. Por, artistë vendorë e ndërkombëtarë kanë manovruar në mënyra të ndryshme me hapësirën. Kjo hapësirë sipas themeluesve thyen linjën tradicionale që vërehet në hapësirat ekspozuese dhe arti hyn në përditshmërinë e njerëzve. Sipas galerisë “Ta·da” vizioni është më i rëndësishëm sesa një hapësirë e rregulluar mirë. Gjendet në veri të kryeqytetit danez, në një lagje dikur të njohur pasanikësh.