Dy javët e fundit të gushtit do të jenë tejet të ngjeshura për albanologjinë. Për dymbëdhjetë ditë me radhë, albanologë, gjuhëtarë e studiues të interesuar për gjuhën shqipe do të jenë pjesë e ligjëratave, tryezave dhe diskutimeve shkencore të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Edicioni i sivjetmë, i 38-i me radhë, shënon edhe një jubile të veçantë në organizimin e aktiviteteve shkencore që mbulojnë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Nga e diela, dhjetëra seminaristë nga Shqipëria, Maqedonia dhe vendet e tjera me traditë albanologjike do të vijnë në Prishtinë me prurjet e tyre që mbulojnë aspekte nga gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare. Ministria e Arsimit është përkujdesur që seminaristët të jenë të vendosur në Qendrën Studentore.
Me studiues kryesisht nga vende si Rusia, Bullgaria, Latvia, Seminari do të hedhë dritë nga përdorimi i fjalive kundrinore (Maxim Makartsev), te ndikimi i shqipes në të folmet e fshehta të muratorëve në Bullgari (Anton Pançev) e deri te praktikat mjekësore të fshatrave shqiptare rreth Detit Azov (Aleksandër Novik).
Për drejtorin e Seminarit, Shkumbin Munishi, tradita shumëvjeçare e Seminarit flet për seriozitetin e këtij organizimi në fushën e studimeve mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.
“Këtë vit kemi një jubile, meqë po bëhen 45 vjet prej kur ka filluar të organizohet Seminari”, ka thënë ai.
Munishi ka theksuar se interesimi për këtë vit nuk ka munguar. Ka pasur mbi 130 aplikime për të marrë pjesë në Seminar, përderisa mbi njëqind studiues e studentë vetëm kanë konfirmuar ardhjen.
“Kanë qenë edhe mbi 70 aplikime të tjera për aktivitetet e tjera shkencore të Seminarit, pra për ligjëratat, tryezat, referimet dhe sesionet shkencore që organizohen në kuadër të seminarit”, ka thënë ai.
Ndër aktivitetet e shumta të Seminarit gjatë javës së parë do të jetë edhe një tryezë shkencore për dy emrat e rëndësishëm të albanologjisë, si Eric Hamp dhe Idriz Ajeti, që ndërruan jetë në shkurt të këtij viti....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")