Brenda objektit të hotelit “Grand” ndodhet një prej hapësirave ku janë kryer dhunime gjatë luftës në Kosovë.
Dy dekada pas çlirimit, në këtë vend janë ekspozuar dëshmi për tmerret e asaj kohe.
Hapësira sjell copëza rrëfimesh të ndarë në dy pjesë: njëra që flet për rrugëtimin e Vasfije Krasniqi-Goodmanit, si zëri i parë i të mbijetuarve të dhunimit seksual që përjetimin e ka shprehur publikisht, raporton “Express” i KTV-së. Hapësira tjetër sjell copëza rrëfimesh të grave të tjera të dhunuara në Kosovë.
Ekspozita me të cilën u hap festivali “FemArt” është realizuar në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Ekspozita “Bëhu Fytyra Ime” vjen në formën e një ekspozite interaktive duke u përballur me historinë e të mbijetuarave të dhunës seksuale, pikërisht në vendin ku kanë ndodhur krimet.
Pas ekspozitës, vazhdoi performanca artistike “Pas asaj”, që bëri bashkë artistet Agnes Nokshiqin dhe Mjellma Gorancin.
Mllefin e mbledhur me vite të tëra, artistja e nxjerrë përmes performancës dhe thotë se arti është mënyra e duhur t’i shtjellojë këto tema.
Artistja Mjellma Goranci, thotë se është hera e dytë që prezanton artin e saj përmes “FemArtit”.
“FemArt” sivjet do të realizohet rreth motos “Me liri kundër marres” dhe do të zgjasë deri më 16 qershor.