Ndonëse e talentuar në grafikë dhe e dëshmuar tashmë edhe në SHBA, Teuta Ibriqaj është shumë modeste kur i bie të flasë për vete. Thotë se vjen nga një familje kosovare nga Drenica dhe ka 35 vjet që merret me art.
Si fëmijë kujton se kishte vizatuar, ngjyrosur, bërë kolazhe, madje thekson se muzën e fëmijërisë e kishte figurën e ujkut, që gjithmonë mundohej që falë vijave e ngjyrave e mjeteve të artit t’ia përngjante. Për kukullat e veta thotë se nuk ka blerë kurrë gardërobë. Ua qepte vetë.
Ndodh që artistët të kuptojnë më vonë se kanë një talent, të cilit duan t’i përkushtohen përjetësisht, por Ibriqaj ishte e bindur qysh 7-vjeçare e klasës së parë kur punimet e saj ekspozoheshin kudo në ekspozita të shkollës e nëpër mure. Të kuptojë më shumë thotë se i ka mundësuar edhe “Libri i artit” i Horst Waldemar Janson, të cilin Ibriqaj nga kërshëria për artin e ka lexuar në gjuhën serbo-kroate dhe në moshën 8-9 vjeçare e kishte mësuar edhe një gjuhë të re, shkruan sot Koha Ditore.
“Më kujtohet se shpeshherë si e vogël nuk ia kisha as idenë se ku i kanë ekspozuar punimet e mia. Kaloja nga to pa i parë. Nuk e vrisja mendjen se ku ekspozoheshin punimet e mia, thjesht bëja vazhdimisht punime”, thotë Ibriqaj.
Por, nuk mjaftohej vetëm me punime. Krahas tyre ajo lexonte teori të artit dhe nga kureshtja për të thotë se e mësoi edhe falë ndihmës së prindërve gjuhën kroate, frënge e pastaj angleze. Kështu ajo mësonte vetë nga pamundësia që të shkonte nga Drenica në Pejë në shkollën e artit. Ndoqi gjimnazin shoqëror e më pastaj priti tre vjet rresht për t’u regjistruar në Fakultetin e Artit.
Pauza nuk e pengoi që të regjistrohej në drejtimin e grafikës në Universitetin e Prishtinës në vitin 1998 në klasën e profesorit Fatmir Kripa. Shkollimi në kohë lufte zë një vend të veçantë në kujtesën e saj.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)