Kulturë

Katedralja e Parisit

Katedralja e Parisit

Qerrja kishte hyrë në oborrin e katedrales. Ajo u ndal përpara portalit qendror. Shpura u rreshtua ushtarakisht në të dyja anët. Turma e popullit heshti, dhe, në mes të kësaj heshtjeje të madhërishme e plot ankth, të dy kanatat e portës së madhe u vërtitën thuajse vetvetiu mbi menteshat e tyre, që lëshuan një gërvinimë si zëri i fyellit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Atëherë përpara syve të turmës u duk, nga brenda, në tërë gjatësinë e saj, ajo kishë e zymtë, e mbuluar me cohëra të përzishme, e ndriçuar fare pak nga disa qirinj prej dylli, që rekëtinin mbi altarin kryesor. Dukej si gryka e madhe e një shpelle që hapet papritmas në mes të një sheshi që shndrit nga dielli. M’u në fund të kishës, në errësirën e altarëve, ngrihej një kryq i madh argjendi, që spikaste në sfondin e cohës së zezë, e cila binte nga tavani deri poshtë në dysheme. Kisha ishte e zbrazët. Vetëm në fronet e largët të korit dukeshin aty-këtu kokat e disa priftërinjve. Në çastin kur u hap porta, nga katedralja buçiti një këngë solemne, e fuqishme dhe monotone, që dukej sikur hidhte mbi fytyrën e së dënuarës, si me shkulma ere, copa psalmesh ogurzeza.