Filarmonia e Kosovës nesër do të mbajë koncertin e radhës, që do t’i kushtohet kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, në kujtim të 263 vjetorit të lindjes.
Në këtë koncert që do të dirigjohet nga Dariusz Mikulski, do të performojë edhe trumbetisti Otto Sauter nga Gjermania, ndërkaq do të shfaqen tri vepra të kompozitorit Mozart dhe një vepër premierë e kompozitorit Enjott Scheneider, raporton KosovaPress.
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se ky koncert kryesisht do t’i kushtohet kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, ndërsa është shprehur i kënaqur nga bashkëpunimi me artistët e huaj.
“Jemi shumë të kënaqur që gjatë kësaj jave kemi bashkëpunuar me këta dy muzikantë të mrekullueshëm, të cilët kanë sjellë frymë të re në punën me orkestër, ide të reja, kanë promovuar një mënyrë ndoshta tjetër të punës që besoj se ndihmon shumë ngritjen e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës”, ka thënë Jashari.
Ndërkaq për dirigjentin nga Polonia, Dariusz Mikulski, është hera e parë që po bashkëpunon me Filarmoninë e Kosovës, megjithatë është shprehur i kënaqur me punën e kësaj trupe.
“Dua të ju them se më pëlqen ky vend, më pëlqen orkestra, është një vend i mrekullueshëm dhe po ashtu një program i mrekullueshëm. Ne zgjodhëm Moxartin sepse ai ishte gjeni, dhe data e 27 janarit është e gdhendur në ditarin e çdo muzikanti si datë e veçantë, sepse është ditëlindja e Wolfgang Amadeus Mozart”, ka thënë Mikulski.
Kurse trumbetisti Otto Sauter është në Kosovë për herë të tretë. Ai ka thënë se për të realizuar këtë koncert, studentët kosovarë kanë ushtruar me përkushtim për orë të tëra.
“Jam shumë krenarë për ta. Çdo mëngjes ata kanë ushtruar me mua nga ora 05:45, a mund ta imagjinoni? Çdo ditë, në 05:45. Disa prej tyre iu duhej të dilnin nga shtëpia edhe dy orë më herët dhe nuk e kam dëgjuar asnjë prej tyre të thoshte: Oh jo, jo përsëri. Ata ishin këtu gjithmonë. Ne jemi të lumtur sepse është një gjë e mirë që një shtet i ri si Kosova ka të rinj të talentuar, veçanërisht vajza”, ka thënë Sauter.
Edhe studentët janë shprehur të kënaqur nga ky bashkëpunim.
Ndërkaq, edhe për këtë koncert, Filarmonia e Kosovës ka shpërndarë falas biletat.
Përndryshe, ky është koncerti i dytë brenda këtij viti i organizuar nga Filarmonia e Kosovës.