Policia e Kosovës ka dhënë versionin zyrtar për plagosjen e katër personave në qendër të Pejës, të mërkurën. Policia ka njoftuar se ka arrestuar katër të dyshuar për këtë rast dhe ka konfiskuar tri armë.
Sot në rrugën “Lekë Dukagjini” si pasojë e të shtënave me armë janë plagosur katër persona, dy nga ta të përfshirë në rast B.K. (1983) dhe N.K. (1976), ndërsa dy të tjerët, fëmijë që ishin kalimtarë rasti.
“Të plagosurit me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për t’ju ofruar ndihma adekuate mjekësore me ç ‘rast dy (2) nga të plagosurit (të involvuarit) në këtë rast nën përcjelljen e Policisë së Kosovës janë dërguar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm, sipas vlerësimit të ekipit mjekësor të Spitalit Rajonal Pejë”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
“Rreth orës 16:05 njësitet policore të DRP Pejë kanë arritur të arrestojnë katër (4) persona të dyshuar dhe janë konfiskuar tri (3) armë të kalibrave dhe llojeve të ndryshme. Hetuesit Rajonal në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore për të mësuar motivin e kësaj ngjarje dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me këtë rast”, thuhet më tej në njoftim të PK-së.