Nga një muaj paraburgim u është caktuar dy serbëve që janë arrestuar një ditë më parë në veri të Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër S.J dhe I.S, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit S.J dhe I.S kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Policia ka njoftuar të mërkurën se në veri të Kosovës ka arrestuar dy shtetas të Serbisë, të dyshuar për posedim të armëve dhe substancave narkotike.
Ndër të tjera atyre u janë konfiskuar edhe disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S). Gjithashtu thuhet se u janë konfiskuar edhe një kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë dhe një kartelë të akademisë për siguri e Serbisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.