Një grua është sulmuar nga qentë endacakë në lagjen “Emshir” në Prishtinë mesditën e së enjtes.
Një dëshmitare e ngjarjes i ka thënë KOHËS se viktima është ndihmuar nga disa kalimtarë të rastit, ndërsa në pamjet e siguruara shihet gruaja teksa po bartej nga qytetarë të tjerë për të marrë ndihmë.
Banorja e “Emshirit” ka thënë se rreziku nga qentë në atë lagje është shumë i madh.
“Për fat i erdhën në ndihmë disa banorë dhe kalimtarë të rastit. Theksoj, nuk guxojmë të dalim poshtë banesës, sepse në hyrje gjithmonë janë ata (qentë) që bëjnë roje, 24 orë. Do t’i marrim një ditë dhe do t’i dërgojmë te hyrja e banesës së kryetarit të komunës le ta ruajnë hyrjen e tij, pastaj shohim se a e zvarrit zgjidhjen më a jo”, ka thënë ajo për KOHËN.
Dëshmitarja ka thënë se ka dy vjet që qentë endacakë rrinë në këtë zonë. Ajo ka shtuar se nuk është hera e parë që qytetarët bien viktimë e qenve endacakë.
Policia dhe Qendra Klinike Universitare të enjten kanë thënë se nuk kanë marrë informata për rast të tillë. Ka qytetarë që pavarësisht sulmeve nga qentë nuk paraqiten për trajtim shëndetësor apo edhe raportim policor.
Rastet e sulmeve të qenve endacakë janë shtuar ndjeshëm javëve të fundit. Ditë më parë, KOHA raportoi se viktimë e sulmit ishte edhe një fëmijë dy vjeç e gjysmë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin “038” në KTV e pati cilësuar Komunën e Prishtinës si të vetmen që “është marrë seriozisht me problemin e qenve endacakë”. Sipas tij, Prishtina s’mund ta gjejë zgjidhjen si e vetme. “Kemi qenë dhe jemi liderë në zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, që është problem jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, pati deklaruar ai.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, të enjten ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ (UA) për kushtet dhe kërkesat teknike që duhet plotësuar nga strehimoret e kafshëve shoqëruese. Sipas njoftimit të Ministrisë, ky akt ligjor ua përcakton komunave në mbarë territorin e Kosovës, kushtet se si duhet t’i trajtojnë kafshët shoqëruese. Në njoftim thuhet se Peci me këtë rast ka thënë se synimi i tyre është krijimi i ambienteve të sigurta për fëmijët dhe qytetarët në rrugë dhe njëkohësisht edhe përkujdesja e duhur për mirëqenien e kafshëve endacake, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.