Policia e Kosovës ka konfirmuar se në orët e para të mëngjesit të së shtunës janë djegur edhe tri vetura në Leshak të Leposaviqit.
Sipas Policisë, veturat e djegura nuk janë me targa RKS.
“Në ora 03:10, policia është njoftuar nga një qytetar serb kosovar, se në Leshak të Leposaviqit, tri vetura të tij (nuk janë me targa RKS), janë përfshirë nga zjarri”, thuhet në njoftim.
Policia ka dalë në vendngjarje, ndërsa rasti është iniciuar si “zjarrëvënie”. Rasti po hetohet më tej.
Në veri, djegiet e veturave kanë nisur që nga fundi i vitit të kaluar kur disa serbë vendosën t’i konvertonin targat në RKS.
Policia e Kosovës ka arrestuar javën e kaluar një person, i cili dyshohet të ketë lidhje me djegiet e veturave dhe me sulmet ndaj Policisë në veri më herët.
Presidenca e Kosovës ka reaguar duke thënë se tani po digjen veturat e atyre që po konsiderohet se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.