Kronikë

Policia në veri sulmohet me shok-bombë

Policia e Kosovës është sulmuar me një mjet shpërthyes në veri të Mitrovicës.

Siç është njoftuar nga Policia rreth orës 2:20 të mëngjesit, në rrugën “Ivo Llola Ribar” te Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve, është hedhur një mjet shpërthyes në drejtim të zyrtarëve policorë që ndodheshin atje.

Dyshohet se mjeti shpërthyes ishte shok bombë.

“Me datë 02.04.2023 rreth orës 02:20, gjatë natës, në rrugën “Ivo Llola Ribar”, tek Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve, në drejtim të zyrtarëve policor që ndodheshin në detyrë zyrtare (njësia në pikë statike), nga persona deri tani të panjohur është hedhur një mjet i dyshuar shpërthyes. Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se mjeti i dyshuar shpërthyes i hedhur në drejtim të zyrtarëve policor është - shok bombë. Njësitet kompetente policore dhe krim teknika kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e nevojshme të vend shikimit. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si ’Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe hetime intensive për zbardhjen e këtij rasti janë në proces”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Vetëm të shtunën është raportuar për djegien e tri veturave me targa RKS në veri, që ishin në pronë të qytetarëve serbë.