Kronikë

Zyrtari policor në Gjilan suspendohet për shkak të vozitjes së rrezikshme nën ndikim të alkoolit

Një zyrtar policor me gradë të kapitenit është suspenduar pasi të shtunën në mbrëmje ka rrezikuar jetën e dy qytetarëve për shkak të vozitjes së rrezikshme.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në Gjilan, ndërsa i dyshuari ka qenë nën ndikim të alkoolit.

“Zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast i është bërë testi i alkoolit dhe ka rezultuar së i njëjti ka qenë duke drejtuar veturën e tij private (jashtë detyrës zyrtare) nën ndikimin e alkoolit. Në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rast me dyshimin për veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut te përgjithshëm’. Zyrtari policor është suspenduar përkohësisht përderisa rasti sipas urdhrit të Prokurorit do të trajtohet sipas procedurës së rregullt”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Më tej është njoftuar se veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.