Në Gjykatën e Apelit të martën është shqyrtuar ankesa e avokates së të akuzuarit B.M., Edona Sahatçiu- Gora, e cila ka kërkuar që të dënuarit me tetë vite burgim për tentim vrasje të vëllait A.M., t’i zbutet dënimi. Edhe i dëmtuari A.M., kërkoi dënim më të butë, me kusht ose kthim të lëndës në rigjykim, pasi tha se janë pajtuar me vëllanë dhe ia ka falur.
Gjykata Themelore në Pejë, në dhjetor të vitit 2022 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj B.M. duke e dënuar me 8 vite burgim për tentim vrasje të vëllait të tij me sëpatë e thikë.
Ankesat kundër këtij aktgjykimi i ka shqyrtuar kolegji i përbërë nga gjykatësi Bashkim Hyseni (kryetar),Tonka Berishaj (gjykatëse referuese) dhe Burim Ademi (anëtar).
Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ka paraqitur mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Edona Sahatçiu- Gora, për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozimin që ankesa të aprovohet si e bazuar, kurse të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë.
Avokatja Sahatçiu-Gora tha se mbeten në tërësi pranë ankesës së ushtuar, ndërsa kërkoi nga Apeli që lëndën ta kthejë në rigjykim ose ta ndryshojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë apo të njëjtit t’i shqiptojë një dënim më të butë.
Në këtë rast, i dëmtuari A.M., ka deklaruar se janë pajtuar dhe e ka falur, duke kërkuar për vëllanë një dënim më të vogël apo me kusht ose lënda të kthehet në rigjykim.
“Unë vëlla e kam, s’kam ku e çoj, na jena pajtu edhe kisha kërku një dënim ma të vogël ose me kusht ose me kthy në rigjykim”, tha i dëmtuari.
Në anën tjetër, gjykatësja Berisha tha se prokurori me propozim të 19 janarit 2023, ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Maznikolli, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të aprovohet.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngarkonte të akuzuarin B.M., se më 12 tetor 2022, në fshatin Kosuriq, Komuna e Pejës, me mjet të mprehtë- sëpatë dhe me thikë, ka tentuar ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, vëllanë e tij, të dëmtuarin A.M.
Sipas akuzës, thuhet se në ditën kritike, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes të pandehurit me familjarët e tij, lidhur me disa të holla nga shitja e bagëtisë, ku i pandehuri pretendonte se i dëmtuari nuk ia kishte dhënë pjesën e tij, i pandehuri i drejtohet me fjalët “pse i ke shitë lopët dhe pse s’m’i ke dhënë paratë që më takojnë mua”, dhe në atë moment shkon në objektin përcjellës të shtëpisë, ku merr një sëpatë me të cilën fillimisht e dëmton veturën e të dëmtuarit, më pas tenton ta godas të dëmtuarin në kokë. / Betimi për Drejtësi