Kronikë

Avokati i ish-ministres Hoxha: Krerët kosovarë s’kishin takime me francezët para lobimit

Në gjykimin për kontratat e lobimit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, mbrojtësit e të akuzuarve kanë thënë se lobimi i kompanive “Majorelle PR” e “Madison Global” ka mundësuar takime të nivelit të lartë politik në Francë. E Prokuroria ka kërkuar që Gjykata ta vërtetojë nëse ato takime janë bërë falë lobimit apo kanë qenë takime të zakonshme

Mbrojtësit e të akuzuarve për firmosjen e kontratave të lobimit ndërmjet Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe kompanive “Majorelle PR” dhe “Madison Global” kanë thënë se lidhja e tyre me këto dy kompani ka mundësuar takime të nivelit të lartë politik mes Kosovës dhe Francës.

Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha, ish-sekretarët Demush Shasha, Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani, si dhe ish-shefi i prokurimit, Fitim Mustafa. Ata ngarkohen me këtë akuzë shkaku i dyshimit për aprovimin e proceseve të firmosjes së kontratave dhe pagesave për dy kompanitë në vlerë mbi 100.000 euro secila.

Florent Latifaj, avokat i ish-ministres Hoxha, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelorë në Prishtinë, propozoi prova të reja, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se kontratat dhanë fryte. Sipas tij, para këtyre kontratave të lobimit të firmosura më 2018 e 2019, udhëheqësit politikë të Kosovës nuk kishin realizuar takime me udhëheqës të Qeverisë së Francës.

“Sa i përket faturimit, i kanë faturuar faturat, por nëse mendon që thuhet që kryeministri... presidenti francez takohet si rezultat i lobimit me kryeministrin e Kosovës, s’është punë lobimi, atëherë e humb krejt kuptimin e vet. A ka pasur ndonjë rast ndonjë takim deri atëherë me shtetin francez ose me presidentin e Francës?”, ka thënë Latifaj.

Sipas mbrojtësve të të akuzuarve, pohimet e ekspertit Agim Sheqiri të martën se “Madison Global” është rrjet restorantesh nuk qëndrojnë.

“Nuk mund të pranohet si provë diçka që është marrë nga interneti, është e paqartë”, ka thënë avokati i Demush Shashës, Tahir Rrecaj.

“Tha merret me ‘chain of restaurants’, zinxhir të restoranteve, tha hyn në Google e gjen e kur e patëm pyetur në një proces tjetër, pati thënë jo “në procesin e hidrocentraleve”, ka thënë Latifaj.

Prokurori i rastit, Dren Paca, ka propozuar si provë regjistrin online të bizneseve në Nju-Jork, për të vërtetuar se në cilat vende vepron dhe se ku është e regjistruar kompania “Madison Global”.

Ai i kërkoi Gjykatës t’i vlerësojë edhe faturat, edhe natyrën e takimeve.

“Gjykata me rastin e administrimit duhet të ketë parasysh që kur t’i analizojë, ato t’i analizojë edhe në ndërlidhje me provat e tjera në shkresat e lëndës si, për shembull, ekspertiza e ekspertit, faturat e dorëzuara nga kompanitë dhe raportet e punës, ashtu që të shihet nëse këto pretendime që mbrojtja i ka për takimet që janë realizuar me zyrtarët francezë a kanë qenë takime të rëndomta, në kuadër të ministrave, apo kanë qenë takime të realizuara nga këto kompani”, ka thënë Paca.

Trupi gjykues i kryesuar nga Arben Hoti e ka caktuar seancën e radhës më 5 prill.