Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Z. Sh., i dyshuar për grabitje dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të gjykatës të premten, i pandehuri kishte kryer një grabitje në një market në Gjilan më 20 dhjetor, nën kërcënim të armës.
“Ekziston dyshimi bazuar se me datën 20.12.2022 rreth orës 22:50 minuta, në lagjen ‘Arbëria’, në Gjilan, marketin ‘Bum’, i pandehuri i lartcekur me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër me qëllim përvetësimit të pasurisë së kundërligjshme për vete, i veshur me tesha të zeza nën kërcënimin e armës dhe përdorimit të së njëjtës për ta rrezikuar jetën e njerëzve hynë në market me revole në dorë dhe duke i bërtitur të dëmtuarës me fjalët qiti paret dhe duke e detyruar të njëjtën që ti ja jep arkën me para ku i njëjti i merr parat në vlerë prej 150 deri 200€, dhe ikë me vrap nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Velekincë. Me këto veprime i pandehuri Z. Sh. dyshohet se ka kryer veprat penale grabitje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e gjykatës.