Kronikë

Tentuan t’i vinin në qarkullim mbi 50 mijë euro e 10 mijë dollarë false, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të premten ka arrestuar në Ferizaj dy persona, nën dyshimin se kanë tentuar t’i vinin në qarkullim më shumë se 50 mijë euro dhe 10 mijë dollarë të falsifikuara.

Në njoftimin e Policisë të shtunën thuhet se të dyshuarit janë një shtetas i Kosovës dhe një i Maqedonisë së Veriut.

“Arrestimi ka ardhur pas një pune operativ dhe hetimore, pasi policia kishte rënë në gjurmë të të dyshuarve dhe më pas dje ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të dy të dyshuarve: B.S., (viti i lindjes 1986, mashkull kosovar) dhe M.I., (viti i lindjes 1986, mashkull Shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut). Të dyshuarit ishin duke tentuar t’i vejnë në qarkullim një shumë të parave të falsifikuara me vlerë të përgjithshme prej 53,100 si dhe 10,000”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, gjatë këtij operacioni është kryer edhe kontrollimi i shtëpisë së dyshuarit shtetas kosovar.

“Gjatë operacionit policor, si prova materiale që do të përdoren në procedurë të mëtejme, janë sekuestruar: 700x50 € = 35000 €, 181x100 € =18100 €, 100x100 $ dollarë amerikan, 2 vetura dhe 3 telefona”, thuhet më tej në njoftim.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Image