Policia e Kosovës ka njoftuar se në zonën rajonale të Mitrovicës Veri i është vënë zjarri një veture me targa RKS.
“Policia e Kosovës, me datën 08.11.2022, ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture me targa RKS, pronë e viktimës femër kosovare e komunitetit serb, me banim në komunën e Zveqanit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit, lidhur me rastin nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës lidhur me rastin ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo hetimore.
“Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe zbulimin e akteve të tilla kriminale”, thuhet në njoftim.
Para një jave, një veturë me targa RKS ishte djegur në komunën e Zubin-Potokut. Ndërsa në fund të tetorit, në komunën e Leposaviqit ishin djegur dy vetura të tjera që kishin konvertuar targat në RKS.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, automjetet me targa ilegale të Serbisë mund të qarkullojnë rrugëve të Kosovës edhe pas 1 nëntorit. Qeveria ka vendosur që nga kjo datë të ketë shkallëzim sanksionesh: në tri javët e para qortim; nga 21 nëntori për dy muaj rresht shqiptim gjobash; nga 21 janari targa provuese; e nga 21 prilli zbatim të tërësishëm të vendimit. SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer me vendimin e Qeverisë, meqë kishte kërkuar shtyrjen e zbatimit të tij për 10 muaj.