Kronikë

Shtatë të lënduarit në aksidentin e Klinës po vazhdojnë të trajtohen në spital

Policia e Kosovës njoftoi të hënën (21 mars) se 7 nga 18 të lënduarit në aksidentin e së dielës në Grabanicë të Klinës, janë ndaluar për trajtim mjekësor, derisa të tjerët janë liruar.

Në aksident u përfshinë katër vetura, derisa sipas Policisë, aksidenti u shkaktua pasi njëri vozitës, nga pakujdesia goditi tri vetura që po lëviznin në kahjen e kundërt.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar 18 persona, tre prej tyre fëmijë të moshave të ndryshme. Të lënduarve u është ofruar tretman mjekësor, kurse shtatë janë ndaluar për trajtim mjekësor. Të lënduarit tjerë (11) pas tretmanit mjekësor janë liruar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

Nuk është bërë e ditur se në cilën qendër mjekësore po trajtohen të lënduarit.