Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe një burrë që dyshohet se së bashku me persona tjerë ka tentuar të dërgojë kopje të dokumenteve personale të personave të ndryshëm dhe një listë me emra dhe mbiemra të personave të cilët jetojnë jashtë vendit (votues nga diaspora).
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.
“ANP Adem Jashari (NN) 29.10.2021 – 19:15. Pas veprimeve hetimore lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar mashkull kosovar i cili dyshohet se së bashku edhe me persona tjerë ka tentuar të dërgojnë kopje të dokumenteve personale të personave të ndryshëm dhe një listë me emra dhe mbiemra të personave të cilët jetojnë jashtë vendit (votues nga diaspora). Lidhur me rastin, me aktvendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, ka njoftuar Policia.
Në të vërtetë të premten fillimisht është arrestuar B.S., zyrtare e Komunës së Junikut, pasi i ishte gjetur një listë e emrave të personave të ndryshëm e disa kopje të letërnjoftimeve e pasaportave.
“ANP-së, Prishtinë 29.10.2021-17:00. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që gjatë kontrollit në valixhen e saj i janë gjetur disa kopje të letërnjoftimeve dhe pasaportave dhe një listë me emra të personave të ndryshëm. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport të Policisë.