Një i burgosur me inicialet H.B., ka vdekur të hënën në Spitalin Rajonal të Pejës, ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Sipas njoftimit, i burgosuri ishte dërguar rreth orës 17:00, me rekomandim të mjekut të burgut të Dubravës, për në Spitalin Rajonal të Pejës.
H.B., i lindur më 1942, sipas njoftimit, vuante nga hipertensioni arterial. Sipas SHKK-së, ai po trajtohej në vazhdimësi nga mjekët e institucioneve korrektuese.
I burgosuri ishte i dënuar për veprën penale të vrasjes.
“Organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes”, thuhet në njoftim.