Arbëri

Fëmijët në Mitrovicë trajtohen në kushte të vështira e reparti i ri peng i pagesave

Fëmijët e rajonit të Mitrovicës kur kanë probleme shëndetësore duhet të dërgohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, brenda së cilës një hapësirë e improvizuar shërben si Repart i Pediatrisë në kuadër të Spitalit të qytetit. Objekti i ri i Pediatrisë është ndërtuar para shtatë vjetësh, por nuk shfrytëzohet pasi ka një mosmarrëveshje mes donatorit dhe Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës

I shtrirë në mes të korridorit, një fëmijë po e merr terapinë me infuzion në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, brenda së cilës është vendosur edhe Reparti i Pediatrisë i Spitalit të Mitrovicës.

Në këtë hapësirë të improvizuar për Pediatrinë, janë shtatë shtretër të mbushur plotë me pacientë, e që këtu, sipas mjekeve, mund t’i marrin vetëm terapitë ditore, por jo edhe të bëhen hospitalizime.

“Fatkeqësia më e madhe është për shkak se këtu pacientët trajtohen në të njëjtin vend, patologjitë e ndryshme. D.m.th. sëmundjet e ndryshme të këtyre fëmijëve edhe faktikisht kjo sot çka e shihni ju, kjo është më e mira e mundshme e këtij reparti se shumicën e rasteve detyrohemi për t’i trajtuar pacientët me nga dy-tre vetë me një shtrat”, ka theksuar pediatrja Jetmira Ilazi-Ismajlaj.

E objekti i ri i Pediatrisë, që është donacion nga shoqata “Nënë Terezë” me seli në Gjermani, ndonëse është përfunduar para shtatë vjetësh, ka mbetur i pafunksionalizuar.

Drejtoresha e Spitalit, Luljeta Buqinca-Zhubi, thotë se nuk mund ta shfrytëzojnë si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes donatorit dhe SHSKUK-së.

“Donatori ka investuar një shumë parash për ta ndërtuar këtë objekt dhe gjatë ndërtimit ka dalë një shumë më e lartë, të cilën shumë nuk po munden ta gjejnë adresën se ku duhet ta paguajnë”, është shprehur Bajqinca Zhubi.

Sipas memorandum-bashkëpunimit të nënshkruar më 2015 mes SHSKUK-së dhe shoqatës “Nënë Terezë”, detyrim i donatorit ishte sigurimi i fondeve për t’i kryer punët në vlerë financiare prej 531 mijë e 359 eurosh.

Në SHSKUK thonë se për funksionalizim, ndonëse nuk parashihet në memorandum, donatori ka kërkuar prej institucionit mjete shtesë në vlerë prej 53 mijë e 359 eurosh.

“SHSKUK-ja është duke e diskutuar këtë çështje edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe presim që të gjendet një zgjidhje e mundshme ligjore dhe objekti të funksionalizohet”, thuhet nw pwrgjigjen e SHSKUK-sw.

Më 2018 pasi që punimet e objektit përfunduan, donatori ka kërkuar ndryshim të kontratës.

Kryetari i shoqatës “Nënë Tereza” në Gjermani, Shaqir Gashi, thotë se ka kërkuar participim nga SHSKUK-ja në 10 për qind të shumës totale, porse një gjë e tillë nuk është pranuar.

“Nga fundi i vitit 2017 dhe intensivisht nga fillimi i vitit 2018 kemi kërkuar që Ministria e Shëndetësisë të participojë me 10% të shumës së përgjithshme sipas kontratës me ekzekutuesin e punimeve. Pas shumë bisedave me ministrat e Shëndetësisë, SHSKUK, Spitalin Regjional të Mitrovicës, për fat të keq deri në këto momente nuk kemi gjetur dëshirën për të participuar me shumën e kërkuar”, ka vlerësuar Gashi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë duke i shqyrtuar mundësitë për funksionalizimin e këtij reparti.

Sipas burimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi që punimet janë përfunduar, nuk është gjetur bazë ligjore që të kryhet pagesa e kërkuar nga donatori.

Bazuar në raportin e komisionit për pranim të punimeve të vitit 2020, i kryer nga kompania “Europrojekt Plus”, totali i pagesës të realizuar është 473 mijë e 823 euro, apo gati 60 mijë euro më pak se vlera e paraparë me memorandum-bashkëpunimi.

E në kompaninë “Fijona” që ishte kontraktuar për të kryer punët, thonë se shoqata u ka ngelur borxh 88 mijë e 426 euro.

“Pagesat e realizuara nga ana e Shoqatës Nënë Tereza është në vlerë 423,118.25 euro ndërsa obligimi i mbetur pa llogaritur ndëshkimet kontraktuale është 88,426.32 euro”, thuhet nw pwrgjigjen e kompanisw.

Premtim për funksionalizim të këtij spitali, më herët kishin dhënë edhe ministrat e tjerë të Shëndetësisë.