Arbëri

Bënë bujë kur u vendosën, në Podujevë “pishman” për semaforët

Në fund të vitit 2019, vendosja e semaforëve në rrugën “Zahir Pajaziti” të Podujevës pati bërë bujë. Tash, më shumë se tre vjet më vonë, ata janë ndalur me vendim të Komunës, që thotë se e ka marrë vendimin në bashkëpunim me qytetarët. Sipas drejtorit të Shërbimeve publike, Bahri Selimi, semaforët veç se e vështirësojnë gjendjen në komunikacion. Ai ka thënë se Podujeva do t’i funksionalizojë sërish semaforët kur të shihet e nevojshme dhe pas matjeve të duhura.

“Po, realisht semaforët, është e vërtetë që janë jashtë funksionit dhe kjo ka ndodhur si pasojë e një vendimi, që ne e kemi marrë si komunë që ta bëjmë ndaljen e tyre. Semaforët janë në gjendje shumë të rregullt dhe nuk kanë ndonjë defekt. Ne mund t’i funksionalizojmë atë ditë qe ne vlerësojmë që duhet t’i funksionalizojmë, mirëpo arsyeja e ndaljes ka ardhur për shkak se ne kemi vlerësuar se këta semaforë përveç se nuk e rregullojnë komunikacionin, e vështirësojnë edhe më shumë. Kjo ka ardhur si pasojë e kërkesave të shumë qytetarëve, të cilët e frekuentojnë rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, që këta semaforë janë vetëm pengesë për komunikacionin”, ka thënë ai.

Sipas Selimit, edhe pse semaforët nuk janë në funksion, kjo s’do të thotë që do të mbesin të tillë edhe për shumë kohë. Ai ka thënë se për ndryshim të situatës duhet bërë matjet e sakta, si dhe kohëmatësi të jetë i saktë. Pas kësaj, është në proces edhe një kontratë e cila ka për synim mirëmbajtjen e semaforëve.

“Ne i kemi ndalur, por kjo nuk do të thotë që nuk do të funksionalizohen. Me aq sa kemi parë ne, me ekspertë të komunikacionit, kemi vlerësuar se kohëmatësi i cili është vendosur në këta semaforë, nuk është adekuat për rrugën kryesore ‘Zahir Pajaziti’ dhe me rrugët me të cilat kryqëzohet, prandaj kemi menduar që ta bëjmë një kontratë të re për mirëmbajtjen e tyre, dhe ta vlerësojmë saktë, së bashku me ekspertë të komunikacionit, dhe ta bëjmë ndryshimin e kohëmatësit”, ka thënë Selimi.

Shtegu i biçikletave, është një arsye tjetër, që semaforët nuk po i kthehen funksionimit. Për këtë është paraparë edhe kontrata e cila parasheh ristrukturimin e tyre. Selimi po ashtu ka bërë të ditur se me kontratën e re është paraparë edhe një palë semaforë të tjerë, nëse ka nevojë për vendosjen e tyre.

Semaforët në Podujevë ishin vendosur në dhjetor të vitit 2019, 20 vjet pas luftës dhe në atë kohë ishin bërë temë diskutimi në gjithë Kosovën./KP