Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, pas vizitës që ua kanë bërë tri objekteve shëndetësore, kanë thënë se qytetarët e Podujevës nuk do të kenë nevojë të shkojnë për kontrolle specialistike në QKUK, pasi shumë shpejt pritet të funksionalizohet ambulanca specialistike në këtë komunë. Fillimisht, sipas tyre, do të ofrohen disa shërbime bazike, ndërsa më vonë synohet që aty të funksionalizohet edhe kirurgjia
Qytetarët e Podujevës, sipas drejtuesve qeveritarë dhe atyre komunalë, shumë shpejt do të marrin shërbime shëndetësore të nivelit sekondar në komunën e tyre. Këtë premtim e kanë dhënë të enjten ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një konferencë për media, pas vizitës që ua kanë bërë tri objekteve shëndetësore, dy prej të cilave janë të përfunduara. Njëri ndër ta është edhe objekti që ishte paraparë për Emergjencë, por që ekzekutivi i tanishëm komunal synon ta funksionalizojë si ambulancë specialistike.
Duke ironizuar me ish-pushtetin rreth spitalit të qytetit, kryetari Bulliqi ka thënë se me letra Podujeva ka kohë që është bërë me spital.
“Arsyeja e kësaj vizite është që të diskutojmë rreth mundësisë së punës së shërbimeve specialistike në Komunën e Podujevës. Tashmë opinioni publik e di që me letra ka vjet që e kemi spitalin e qytetit të Podujevës, po fatkeqësisht deri tash ende nuk kemi filluar ose s’kemi arritur ta funksionalizojmë. Me qëllim të funksionalizimit të këtyre shërbimeve, sot e realizuam këtë takim të përbashkët, ku biseduam për mundësinë e fillimit sa më të shpejtë të këtyre shërbimeve specialistike për qytetarët e Komunës sonë. U dakorduam me ministrin Vitia që këto shërbime të fillojnë sa më shpejt që është e mundshme”, ka thënë Bulliqi në konferencën për media. “Ne si institucione lokale iu kemi siguruar ambient të mirë, të gatshëm, të cilin patëm rastin ta shohim pak më herët që ishim në vizitë atje. Besoj që pak a shumë kushtet teknike dhe infrastrukturore janë plotësuar. Mbetet që Ministria dhe Shërbimi Klinik Universitar të sigurojnë stafin e nevojshëm mjekësor që t’i funksionalizojmë këto shërbime. Po ashtu biseduam për një varg fushash të cilat mendojmë se është e nevojshme të fillohet shpejt. Disa mund të presin për një periudhë më të vonshme dhe u dakorduam që këto që mund t’i aktualizojmë shpejt dhe mund t’i vëmë në dispozicion të qytetarëve tanë”.
Në të ardhmen, sipas kryetarit Bulliqi, në ambulancën specialistike do të mund të funksionalizohej edhe kirurgjia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se për dallim prej shumë komunave të tjera, në Podujevë nuk mungon infrastruktura.
“Shëndetësinë primare në Podujevë në nivelin që sot e pashë, mund të them pa asnjë dyshim jam shumë i kënaqur dhe i befasuar për të mirë. Edhe shërbimi primar është shërbimi që presupozon për t’u dhënë mbi 80 për qind të shërbimeve shëndetësore për qytetarët tanë. E pashë angazhimin edhe të drejtoreshës së Shëndetësisë edhe drejtorit të QKMF-së në këtë drejtim dhe nuk kam dyshim që qytetarët sa u përket këtyre shërbimeve janë në duar të sigurta”, ka deklaruar Vitia.
Ndërkohë, për objektin e QMF-së që ka përfunduar në fshatin Gllamnik, Shpejtim Bulliqi ka thënë se nga 220 mijë euro sa ka kushtuar në tërësi, 55 mijë euro janë investim i Komunës, ndërsa pjesa tjetër nga shteti i Katarit.
Ministri Vitia premton furnizim me barna
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë vizitës në Komunën e Podujevës ka folur edhe për furnizimin me insulina dhe barna në përgjithësi. Sipas tij, ka disa vjet që është duke vazhduar problemi me furnizim me insulina edhe për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Vitia ka theksuar se ajo çfarë kanë kërkuar si Ministri është që të respektohet ligji. Aktualisht ka thënë ai nuk ka mungesë të insulinave, meqë janë siguruar nëpërmjet një procedure emergjente. Duke folur për furnizimin me barna për sistemin sekondar, ministri Vitia ka theksuar se SHSKUK-ja është në fazën e fundit të planifikimit dhe se shumë shpejt pritet të miratohet edhe lista esenciale, që, sipas tij, do ta ulë ndjeshëm mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore.
“Për herë të parë në kujdesin parësor shëndetësor që e ka obligim Ministria, nga 11.3 milionë, buxheti është bërë në 20 milionë. Në nivelin sekondar dhe terciar, pra në SHSKUK nga 24 milionë, është bërë në 36 milionë. Është një rritje e dukshme e cila është përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve dhe mungesave të cilat kanë qenë për vite me radhë nëpër këto institucione”, ka thënë Vitia.