Një banor i fshatit Pogragjë të Klinës deklaroi se në lagjen “Gjergjaj” janë të bllokuar si pasojë e vërshimeve të shiut.
Ai tha në SOT të KTV-së të martën se asnjë zyrtar nga institucionet s’e kanë vizituar këtë fshat, derisa shtoi se nuk po mund as fëmijët t’i dërgojë në shkollë.
“Nuk kemi mundësi të bëjmë zgjidhje. Niveli i ujit është katër metra lartësi, e ka bllokuar totalisht urën e fshatit. I kam dy fëmijë, vajzën 6-vjeçare e kam por s’kam mundur ta dërgoj në shkollë. Asnjë prej institucioneve s’ka ardhur këtu. Para katër ditësh kanë ardhur në një pjesë tjetër, por vetëm kanë shikuar. Për momentin ne nuk na bën dëme në shtëpi sepse jemi në kodër, por para 4 ditësh ka pasur dëme te një shtëpi afër. Ka pasur dëme në ushqim të bagëtive, kam pasur dëme në bunar të ujit të pijshëm. S’kemi as ujë të pijshëm, po duhet disa kilometra të ecim që të dalim të blejmë ujin”.
Qytetari foli drejtpërdrejt nga lagjja ku pati përmbytje.