Arbëri

Shkolla në Gadime grumbullon veshmbathje për skamnorët

Veshmbathje  - shkolla ne Gadime, skamnor

Këshilli i Prindërve në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Gadime të Lipjanit kanë nisur grumbullimin e veshmbathjeve, në mënyrë që ato t’ua dhurojnë familjeve skamnore, në veçanti nxënësve të komunitetit ashkali.

Këshilli ka identifikuar dhjetëra familje skamnore, të cilat po i kontaktojnë me radhë për të marrë veshmbathje të ndryshme.

Secila familje që dëshiron t’i dhurojë rrobat e veta, ato duhet të jenë të pastra dhe në gjendje të mirë për përdorim.

Argjent Tasholli, kryetar i Këshillit të Prindërve në këtë shkollë, ka thënë se aktiviteti ka nisur pas kërkesave të prindërve në mbledhjen e fundit me udhëheqësit e shkollës.

“Ne e morëm me seriozitet së bashku me disa mësues dhe disa anëtarë të Këshillit të Prindërve dhe e realizuam me përpikëri, ku e bëmë grumbullimin e rrobave dhe mendojmë që në ditët në vijim dalëngadalë do t’i shpërndajmë në mënyrë të organizuar tek ata persona të cilët kanë nevojë për ato rroba”, tha Tasholli.

Drejtuesit e shkollës kanë thënë se nga 700 nxënës, sa ka kjo shkollë, një pjesë e tyre janë nga komuniteti ashkali, shumica prej të cilëve me kushte të rënda ekonomike, andaj do të jenë përfitues nga ky aktivitet humanitar.

“Në shkollën tonë kemi nxënës edhe të komunitetit ashkali, i cili është më së shumti i nevojshëm që t’i mbështesim ata, pra ky është një aktivitet i qëlluar. Së bashku me drejtorin i kemi liruar dy klasa për grumbullimin e rrobave të cilat i kemi vendosur dhe ato do t’i shpërndajmë aty ku është nevoja”, tha Hyrzeme Kaqara, zv.drejtoreshë e shkollës “Zenel Hajdini”.

Sipas drejtuesit të Këshillit të Prindërve, aktiviteti humanitar pritet të zgjerohet edhe në lokalitete të tjera dhe në qytetin e Lipjanit.