I nisur në 2019-n përmes Klauzolës për Investime (kredisë së butë), sipas marrëveshjes për bashkëpunim financiar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Austrisë, projekti për kolektorin parashihte zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. Por kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se projekti ka përfunduar me “gypa të varrosur” në 11 kilometra gjatësi
Dikur ishte konsideruar si projekti më i madh në Komunën e Podujevës.
Por ndërtimi i kolektorit kryesor për këtë komunë, i nisur me një projekt 5.3 milionë eurosh, për të cilat kjo komunë ka hyrë në borxh 20-vjeçar, tash po quhet i dështuar. Deri më tani janë ndërtuar rreth 12 kilometra rrjet, nga 15 sa parashihen gjithsej me këtë kontratë që i është besuar kompanisë austriake ÖSTAP. Kjo është më pak se gjysma e gjatësisë që nevojitet për ta përmbyllur në tërësi këtë projekt prej 37 .163 metrash në total. Për kryetarin aktual të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ky projekt është i dështuar, pasi edhe me përfundimin e 15 kilometrave, ujërat e zeza do të vazhdojnë të derdhen në lumenjtë e kësaj komune. Me këtë vlerësim të tij nuk janë pajtuar përfaqësuesit e kompanisë mbikëqyrëse dhe ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës.
Projekti i shpëtimit u bë i dështimit
Gjithçka kishte nisur në shkurt të vitit 2015, kur ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i kishte pritur në një takim përfaqësuesit e kompanisë austriake ÖSTAP. Aty ishte diskutuar për identifikimin e projekteve, si bazë e parë për të filluar negociatat për marrjen e kredisë së butë nga Austria. Në korrik të të njëjtit vit ishte nënshkruar edhe marrëveshja për hartimin e projekteve për trajtimin e ujërave të zeza. Katër muaj më vonë (16 nëntor 2015) projekti detaj po dorëzohej në Komunë nga kompania ÖSTAP. Ndërkohë, në dhjetor të vitit vijues Kuvendi Komunal i Podujevës po i hapte rrugë vazhdimit të këtij projekti, duke e miratuar vendimin për ndërtimin e kolektorit për ujërat e zeza dhe implementimin nëpërmjet Klauzolës për investime, sipas marrëveshjes për bashkëpunim financar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë.
Në ditën e fillimit të punimeve, nga fundi i 2019-s, Agim Veliu, atëkohë kryetar komune kishte thënë se me realizimin e këtij projekti lumenjtë do të mbrohen nga ujërat e zeza.
Por kështu nuk mendon pasardhësi i tij në krye të komunës, Shpejtim Bulliqi.
“Ne kur e kemi marrë qeverisjen, kemi hasur në një projekt, i cili është paraparë që të bëhet në dy faza lidhur me kolektorin e ujërave të zeza. Një projekt i cili për fazën e parë është marrë një kredi prej 5.3 milionë eurosh nga Qeveria austriake, të cilën kredi qytetarët tanë do ta kthejnë në një periudhë diku 19 vite. Në fazën e parë të këtij kolektori është parashikuar që të ndërtohet në një gjatësi prej 15.119 metrash dhe pjesa tjetër e kolektorit në një gjatësi totale prej 37.163 metrash të mbetet për fazën e dytë”, është shprehur Shpejtim Bulliqi.
“Varrosja” e 5.3 milionë eurove
Deri tash, kryetari i Komunës së Podujevës thotë se janë ndërtuar 11 kilometra e 596 metra, kurse kanë mbetur të parealizuara përafërsisht edhe 3 kilometra.
“Dhe fatkeqësisht në këtë gjatësi prej përafërsisht 15 km, qytetarëve tanë iu ka kushtuar një kosto hiç më pak se 5.3 milionë euro. Nëse e marrim dhe e analizojmë gjatësinë e kësaj pune që është kryer dhe shumën e parave që është shpenzuar, na del se gjatësia e 1 km të këtij kolektori qytetarëve tanë iu ka kushtuar mbi 300 mijë euro, që është një shumë marramendëse dhe e cila është një prej brengave të mëdha, të cilën e ka trashëguar qeverisja jona nga qeverisja e kaluar”, ka theksuar Bulliqi.
“Prandaj, t’u i pasë parasysh krejt këto, ne jemi të vetëdijshëm se tashmë veç kemi pësua një humbje shumë të madhe, sepse ne i kemi të varrosura diku 5.3 milionë euro nën tokë dhe këto 5.3 milionë euro aktualisht nuk zgjidhin asnjë problem për qytetarët tanë”, ka shtuar ai.
Kompania austriake ÖSTAP ka nënkontraktuar kompani vendore për kryerjen e punimeve dhe vetë e bën vetëm mbikëqyrjen e punëve teknike. Përfaqësuesja e kompanisë mbikëqyrëse ÖSTAP, Alltëne Krasniqi, ka thënë se në bazë të kontratës, janë paraparë të vendosen 15.119 metra gyp, kurse gjatësia totale e paraparë e kolektorit (dy fazat) është 37.163 m.
“Ky projekt është i paraparë të ndërtohet në dy faza. Aktualisht është duke u implementuar faza e parë e projektit, në kuadër të së cilës janë paraparë të ekzekutohen segmentet e kolektorit si në vijim: segmenti Lluzhan-Llapashticë, segmenti Llapashticë-Podujevë dhe segmenti Llapashticë-Peran. Në fazën e dytë janë paraparë segmentet Peran-Bradash, Lluzhan-Gërdoc, Lluzhan-Sveçël, Lluzhan—Lupç i Poshtëm”, ka thënë Alltëne Krasniqi në një përgjigje me shkrim.
Deri tash, sipas saj, janë realizuar 11.596 m kolektor nga 15.119 m gjatësi totale të paraparë në kuadër të fazës aktuale (fazës së parë). Krasniqi ka thënë se deri tash është punuar në segmentet Lluzhan-Llapashticë, Llapashticë-Podujevë dhe Llapashticë-Peran dhe sipas saj kontrata nuk është përmbyllur dhe punimet janë në vazhdim e sipër.
Kur është pyetur se kush duhet të bartë përgjegjësinë në rast të dështimit të këtij projekti, përfaqësuesja e kompanisë mbikëqyrëse ÖSTAP ka thënë se projekti nuk ka dështuar.
“Projekti nuk mund të konsiderohet i dështuar nga vetë fakti se tashmë janë realizuar afro 80% e punimeve, kontrata nuk është përmbyllur, dhe punimet e ngelura do të përfundojnë posa të mirren edhe pëlqimet e fundit, e të cilat janë në procedurë e sipër. Po ashtu, buxheti nuk mund të konsiderohet i jashtëzakonshëm nga vetë fakti se është shqyrtuar dhe aprovuar si nga institucionet lokale po ashtu edhe nga ato nacionale (përfshirë këtu edhe ratifikimin e ligjit përkatës në Kuvendin e Kosovës)”.
Edhe Nexhmi Rudari, i cili gjatë vitit 2020 ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, nuk është pajtuar me konstatimin e Bulliqit.
“Unë nuk e di si mund të quhet një projekt i papërfunduar i dështuar. Unë e di që sa kam qenë unë aty (u.d. i kryetarit v.j.) diku rreth 80 për qind të punëve të atij projekti janë kryer ose 70 për qind. Qe një vit e tepër që është kjo qeverisje komunale është dashtë që t’i përfundojë edhe këto 20 apo 30 për qind të punëve që kanë mbetur pa përfunduar dhe ta përfundojnë tërësisht projektin. Sa i përket asaj se janë varrosur 11 km gypa, unë e di që vetëm qeniet e gjalla varrosen. Gypat mund të jenë vendosur ose të groposen, po të varrosen...”, është shprehur Nexhmi Rudari.
“Sido që të jetë, po shihet që kjo qeverisje nuk ka aftësi t’i përfundojë projektet që i ka pasur të gatshme e lëre më të bëjë projekte të reja për Komunën. Por unë sinqerisht do të doja si qytetar që ky projekt të përfundojë. Kjo qeverisje që është tash aktualisht ta përfundojë këtë projekt, sepse është projekt kapital për Komunën e Podujevës për mbrojtjen e mjedisit dhe po ashtu është projekt që e kemi në bashkëpunim me një partner strategjik, siç është Austria”, ka shtuar Rudari.
Banorët fajësojnë punimet e këqija për vërshimet në fshat
Rudari ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur se kush duhet të bartë përgjegjësinë në rast se dështon një projekt aq i shtrenjtë.
“Po, pse po flasim për dështim? Pse po e konsiderojmë dështim? Unë besoj që ky projekt nuk ka dështuar dhe jam shumë i sigurt se me vullnetin e mirë dhe përkushtimin e kësaj qeverisjeje, ky projekt do të përfundojë ashtu siç është i paraparë. Pse po flasim për dështim?”, ka pyetur ai.
Të pakënaqur me punimet e këtij kolektori janë shprehur qytetarët. Salih Deda nga fshati Penuhë ka thënë se kalimi i gypit nën lumë e ka ngritur nivelin e ujit dhe sa herë ka reshje, lagjja e tyre dhe varrezat e fshatit afër hekurudhës vërshohen nga uji.
“Prej fillimi ky është vu në mënyrë të gabuar në disa vende. Së pari projekti është dashtë me kalua në anën tjetër të lumit, mos me i thye dy asfalte, po një asfalt edhe mos me na qit telashe. Gypi këtu që janë thye dy asfalte, në të djathtë edhe në të majtë, na qet neve shumë problem. Na kemi ba kërkesë disa herë, iu kemi tregua edhe atyre njerëzve që janë kanë kompetentë për këtë, edhe kemi ba kërkesën në Komunë. Po kjo ka hasur në vesh të shurdhër. Këtu neve na merr uji për çdo vjet, katastrofë. Veç kqyre çfarë muri kanë ba edhe çfarë punimi kanë ba”, ka thënë ky banor.
“Me vendosjen e gypit nën shtratin e lumit, mbi 1 metër e 60 centimetra është çuar lumi ma nalt. Tash ne rrezikohemi në anën e epërme, krejt lagjja, jo vetëm unë, po unë pësoj më së shumti se jam në pikën më të ulët. Për atë arsye i kemi tregua Komunës që me e ndërpre, mos me lanë me vendos gypin, se e kam pa çka po punojnë. Inxhinieri duhet me kanë inxhinier që me marrë masa të mira, e jo çka kanë ba këta. Jemi shumë të rrezikuar. Nëse ky gyp nuk sanohet, na jemi të detyruar ose me lajmërua organet me na e hjek, ose me hjek vetë, se jemi të rrezikuar”, ka shtuar ai.
Banorët thonë se u janë dëmtuar edhe varrezat afër hekurudhës, për shkak të vërshimeve, si pasojë e vendosjes së gypit të kolektorit nën shtratin e lumit.
Gypi i këtij koletori tash për tash e ka rrjedhën në Llap në fshatin Lluga, afër urës së hekurudhës. Ramadan Konushefci banor në këtë fshat thotë se nuk është zgjidhje nëse prapë ujërat e zeza derdhen në lumë.
“Fshatrat që kemi pasë ma së shumti nevojë me u lidhur me këtë kolektor, nuk na kanë lidhë. Edhe punën nuk e kanë krye si duhet. Gypat i kanë lanë nalt, e u dashtë shumë ma thellë nën Llap me kanë ujërat e zeza me depërtua, e jo tash p.sh. në nivel të Llapit shkojnë gypat. E aty kur gjuhet (derdhet v.j.) uji e gërryen e bën katastrofë”, ka thënë Konushefci.
Vërejtje nga banorët ka pasur edhe për kapakët e pusetave dhe për mossanimin e duhur të rrugëve nga ka kaluar ky gyp. Përfaqësuesja e kompanisë mbikëqyrëse ka thënë se në të gjitha pusetat e përfunduara janë vendosur kapakë të përkohshëm nga betoni. Sipas saj, pas përfundimit të të gjitha punimeve, para se të të bëhet pranim-dorëzimi i projektit, do të vendosen kapakët e përhershëm metalikë.
“Kemi pasur raste kur kapakët e përkohshëm janë dëmtuar apo larguar nga persona të papërgjegjshëm. Në momentin që kemi identifikuar rastet e tilla, i kemi vendosur kapakët e tjerë. Sanimi i dëmeve është bërë në pothuajse të gjitha segmentet e realizuara. Në disa segmente ku parashihen zhvillimi i aktiviteteve të tjera (p.sh. vendosja e pusetave, etj) është bërë vetëm sanim i përkohshëm. Sanimi përfundimtar do të bëhet pas kompletimit të punimeve në të gjitha pustetat dhe testimit”, ka thënë ajo.
Gjendja në rrugën e fshatit Penuhë në dy vende nuk është aspak e kënaqshme.
Shfrytëzimi i tokave pa pëlqim
As Komuna e as kompania nuk kanë marrë asnjë pëlqim me shkrim nga banorët, nëpër pronat e të cilëve ka kaluar ky kolektor. Këtë vërejtje e ka pasur në fillim të këtij viti edhe qeveria e re komunale.
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari, thotë se këto telashe me qytetarë i kanë zgjidhur me mirëkuptim. Por, gjendja është ndryshe në terren.
“Tashti ankesa të qytetarëve unë nuk di, herë pas here ka pasë ankesa, sepse ky kolektor ose ky gyp kryesor ka kaluar nëpër prona private. Mirëpo, me mirëkuptimin e qytetarëve ne kemi arritur që të gjejmë zgjidhje”, ka thënë ai.
Në kompaninë ÖSTAP thonë se kjo ka qenë përgjegjësi e Komunës.
“Projekti është i hartuar dhe i aprovuar nga autoritetet komunale në Podujevë. Në aneksin (shtojcën) 4 të bashkangjitur në këtë email, mund të shihni ekstraktin e marrëveshjes në mes të Komunës së Podujevës dhe kompanisë sonë, prej nga mund të shihen obligimet e Komunës (si: zgjidhja e çështjeve me pronarët e tokave, lejet dhe pëlqimet përkatëse), të cilat nuk janë përmbushur në mënyrë ekspeditive, e për shkak të të cilave jemi ballafaquar me vonesa në projekt, të cilat vonesa rezultojnë në kosto shtesë për neve dhe për kontraktuesin e punimeve, por të cilat kosto jemi munduar t’i tejkalojmë me forca vetanake, duke dëshmuar vullnetin e mirë dhe fleksibilitetin tonë, me qëllim të përfundimit të të gjitha punimeve të parapara me kontratë”, ka theksuar Alltëne Krasniqi. “Siç është cekur më lart, kontrata nuk është përmbyllur, dhe punimet në segmentet përkatëse (në të cilat janë ndërprerë punimet përkohësisht) do të vazhdojnë posa të marrim pëlqimet e munguara, e të cilat pëlqime siç jemi informuar nga Komuna janë në procedurë e sipër. Vlen të theksohet se problemet me pronarët privatë tashmë janë zgjidhur nga ana e Komunës dhe punimet në segmentet përkatëse kanë përfunduar me sukses (përveç njërit segment, për të cilin tashmë është marrë pëlqimi që të fillohet me punime posa të përmirësohen kushtet klimatike)”.
Krasniqi ka thënë se punimet janë ndërprerë për shkak të mungesës së pëlqimeve për depërtimin e kolektorit nën rrugë dhe nën hekurudhë, e të cilat pëlqime, sipas saj, Komuna u ka thënë se janë në procedurë e sipër dhe pritet të lëshohen së shpejti.
Kështu nuk ka thënë kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Kam pasë disa qytetarë të cilët janë ardhë dhe janë ankuar sa i përket dëmtimit të pronave të tyre dhe mosmundësia e kompensimit. Madje një pjesë e këtyre pronave nuk janë kthyer në gjendjen e mëparshme. Prandaj, ne duhet vazhduar diskutimet me qytetarë edhe duhet parë cilat janë shqetësimet e tyre. Sigurisht se ne si institucione jemi të obliguar t’u dalim në përgjigje të kërkesave dhe nevojave të tyre. Prandaj jemi të obliguar që të ulemi bashkërisht me qytetarë tanë dhe t’i diskutojmë këto probleme për t’i tejkaluar bashkërisht”, ka thënë ai.
Nuk vazhdojnë me austriakët
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, vazhdon të besojë se marrëveshja për ndërtimin e kolektorit ka qenë e mirë.
“Sigurisht që ka ende mundësi që me negociata mes Bankës së Austrisë, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës pastaj të vazhdohet me impiantin, ose edhe me ndonjë partner tjetër, nuk është e thënë vetëm me Austrinë. Por ne po flasim për një kredi të butë që austriakët ia kanë ofruar Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komunës së Podujevës si shfrytëzues i kredisë me grejs periduhë prej 5 vjetësh dhe me kthim për 20 vjet me zero për qind kamatë”, ka theksuar Rudari. “Domethënë është dukur shumë e arsyeshme, sepse Komuna e Podujevës nuk ka pasur mundësi vetë me buxhet të saj të ndajë një shumë kaq të madhe dhe për atë edhe jemi përcaktuar ta bëjmë një kolektor, i cili grumbullon që të gjitha ujërat e zeza dhe t’i vendosë pastaj në një impiant dhe prej aty ujërat e pastërta të dalin në lumenjtë tanë. Uroj që ky projekt të përfundojë sa më shpejt, sepse e thashë edhe më parë është në interes të qytetarëve të Komunës së Podujevës dhe të vetë mbrojtjes së mjedisit”.
Në një takim me qytetarë, Shpejtim Bulliqi ka deklaruar se përfaqësuesit e kompanisë mbikëqyrëse i kishin kërkuar edhe 6 milionë euro shtesë për përfundimin e fazës së dytë dhe 15 milionë euro për impiant.
Alltëne Krasniqi ka thënë se kompania nuk ka i ka kërkuar vlerat e cekura më sipër.
“Këto vlera janë dhënë si sqarim në pyetjet e shtruara nga z. Bulliqi (pas marrjes së detyrës së kryetarit të Komunës), me ç'rast është cekur se vlera prej 6 milionë eurove është vlerë e paraparë për fazën e dytë të kolektorit, e cila vlerë ka qenë e ofruar si kredi e butë pa interes nga ana e Qeverisë austriake dhe si e tillë ka qenë e dakorduar në Asamblenë Komunale në Podujevë (siç mund të shihet në aneksin 1 të bashkangjitur në këtët email). Vlera prej 6 milionë eurove ka qenë limiti maksimal i mundshëm i përcaktuar nga Qeveria e Austrisë për marrjen e kredisë së butë përkatëse”, është shprehur Krasniqi. “Po ashtu, vlera prej 15 milionë eurove është dhënë si sqarim në pyetjen e shtruar nga z. Bulliqi (pas marrjes së detyrës së kryetarit të Komunës), me ç'rast është cekur se kjo vlerë është dhënë si ofertë nga Qeveria austriake (nëpërmjet bankës austriake, Unicredit bank Austria AG, sipas kushteve të OKB-së) për ndërtimin e impiantit për Podujevë”.
Por, kryetari Shpejtim Bulliqi tashmë e ka ndarë mendjen dhe nga ai nuk pritet të vazhdojë projektin me ÖSTAP-in.
“Sigurisht që gjatë kësaj periudhe kohore i kemi pasur disa kontakte me kompaninë punëkryese dhe mbikëqyrëse, sepse edhe punët, edhe mbikëqyrjen asgjë nuk është në kompetencë të Komunës. Të gjitha janë jashtë kompetencës së Komunës, madje edhe menaxheri i këtij projekti nuk i jap përgjegjësi drejtpërsëdrejti Komunës, por është nga kompania e kontraktuar me atë marrëveshjen e famshme që është nënshkruar më herët”, ka deklaruar Bulliqi. “Dhe t’u i pasë parasysh krejt këto kostot financiare të cilat i kushtojnë Komunës tonë, normal që ne kemi vendosur që më tutje të mos shkojmë me marrje të kredive të reja dhe në futjen në obligime të institucionit të Komunës, por edhe qytetarët tanë, po them me këtë kosto marramendësi të çmimit që na kushton për kilometër të këtij kolektori. Ne kemi vendosur që më të mos konkurrojmë për një kredi të tillë dhe mbetet që me forcat tona, ose me projektet e IPA-së apo në forma tjera të projekteve që mund të përfitojmë, d.m.th. ta vazhdojmë punën e mëtutjeshme të realizimit të këtij kolektori”.
Megjithatë, kryetari i Podujevës thotë se kompania përgjegjëse është e obliguar t’i përfundojë edhe 3 kilometrat e mbetura sipas kontratës.