Gjakova për shumë vjet ka pasur namin e qytetit me potencial të madh ekonomik e industrial. Por fabrikat e dikurshme tashmë janë shndërruar në deponi hekurishtesh, ndërsa papunësia në problemin më të madh të kësaj komune. Madje, edhe në ditën e zgjedhjeve ky ka qenë shqetësimi kryesor i qytetarëve, për zbutjen e së cilës shpresojnë se do të angazhohet qeveria lokale dhe ajo qendrore
Kjo pjesë ishte simbol i Gjakovës. Objektet brenda hapësirave të mëdha janë dëshmi e fuqisë së dikurshme ekonomike të qytetit. Por një pjesë e tyre tash ngjajnë në hekurishte të një zone të braktisur.
Fabrika e duhanit ‘Virgjinia’, fabrika e Elektromotorëve, fabrika e Metalikut, dhe të tjera ndërmarrje shoqërore që dikur mbanin gjallë jo veç ekonominë e Gjakovës, kanë dështuar të rifunksionalizohen. Një pjesë e tyre u privatizuan, por nuk u shfrytëzuan kurrë për qëllimin që u blenë.
Në ditën kur qytetarët përmes votës vendosin se kush do t’i udhëheqë për 4 vjet, një pjesë e tyre ndiejnë nostalgji për namin që kishte Gjakova dikur.
E të dielën e 14 nëntorit ankesa më e madhe e qytetarëve ishte mungesa e vendeve të punës.
Por ka edhe qytetarë që kanë privatizuar prona shoqërore, që dikur kishin prodhimtari të suksesshme. Ata ankohen për mungesën e punëtorëve të kualifikuar. Masar Cana thotë se duhet të hapen më shumë shkolla profesionale për të përballuar kërkesat e tregut të punës.
Komuna e Gjakovës sipas një analize të Institutit GAP ka rreth 10 mijë të punësuar në sektorin privat e rreth 2 mijë në sektorin publik. Por një pjesë e madhe e të rinjve po e braktisin këtë qytet për shkak të papunësisë.
Numri i kontributpaguesve aktivë nga Gjakova në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust) është dukshëm më i madh sesa numri i të punësuarve. Kjo tregon se një numër i madh i qytetarëve të Gjakovës punojnë jashtë Komunës së tyre.
Kjo komunë është një nga pesë komunat me sipërfaqen më të madhe në Kosovë, e komuna me më së shumti qytetarë që jetojnë në diasporë.