Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka dalë në përkrahje kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Burim Berisha, në garën e balotazhit në komunën e Fushë-Kosovës.
Sipas AAK-së, deri te një vendim i tillë është ardhur pas konsultimit me strukturat dhe anëtarësinë e kësaj partie në këtë komunë.
Pas konsultimit me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e AAK-së në Fushë Kosovë kemi marrë vendim që “në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetar të Komunës së Fushë Kosovës të mbështesim kandidatin e LDK-së Burim Berishen. Vota e çdo anëtari të AAK-së në Fushë Kosovë, nga sot konfirmon rreshtim të vullnetshëm të elektoratit të saj për mbështetje të plotë të Burim Berisha, i cili me datë 14 nëntor 2021 përmes verdiktit të popullit do të jetë kryetar i komunës së Fushë Kosovës”, thuhet në njoftim.
Burim Berisha në zgjedhjet e 17 tetorit fitoi 7.842 vota apo 49.96 për qind, dhe ishte vetëm pak vota larg fitores pa balotazh. Në garën e balotazhit ai do të ketë përballë Enver Bajçincën e Vëtëvendosjes, që mori 3.977 vota apo 25.33 për qind. AAK-ja ndërkohë mori vetëm 365 vota.