Driton Ajazi nga iniciativa Demokratët për Drenasin ka thënë se në raundin e dytë të garës për kryetar të kësaj komune synon të marrë të gjitha votat e qytetarëve që nuk e votuan kundërkandidatin e tij, Ramiz Lladrovci, në raundin e parë.
Kryetari aktual, Lladrovci, në raundin e parë me PDK-në mori 45.5 për qind të votave. Ajazi doli i dyti me 30.5 për qind të votave. Dallimi në vota është mbi 3000. Megjithatë, ai ka thënë se për raundin e dytë po punon që t’i bindë 55 për qind të votuesve që nuk e përkrahën Lladrovcin.
Në Interaktiv të KTV-së ka thënë se për të gara ka qenë e pabarabartë për shkak të përçarjeve brenda PDK-së.
“Ka qenë garë jo e barabartë qysh në start sepse mua dhe ekipit tonë na është bërë një e padrejtë e madhe sepse mua qysh në fillim më ka nominuar dega e PDK-së në Drenas, por mu pamundësua të garoj në këtë logo sepse kryetari aktual e ka uzurpuar logon e PDK-së. Vendosëm të garojmë me listën e Demokratët për Drenasin. Përmes emrit donim të jepnim një mesazh se ne jemi demokratët dhe do të udhëheqim në mënyrë demokratike e jo diktaturë siç është bërë deri tash. E kanë kuptuar qytetarët se e vetmja alternativë që mund ta shpijë Drenasin drejt një zhbllokimi tash e 5 vjet jemi ne. Jemi mobilizuar e jemi vazhdimisht në terren duke bashkëbiseduar me secilin qytetar për preokupimet e pesë vjetëve të fundit. Neve na shohin si alternativa e vetme për të dalë nga kolapsi që e ka kapluar Drenasin tash e pesë vjet”, ka thënë ai. “Unë pres që edhe në balotazh ta materializoj këtë votë të qytetarëve ku 55 për qind të qytetarëve kanë votuar kundër stagnimit, keqqeverisjes e bllokimit. Më 14 nëntor pres që kjo të materializohet përmes meje e të jem kryetar i Drenasit”.
Ai ka thënë se do të garojë në balotazh pa koalicione me parti të tjera.
“Mandatin tim katërvjeçar do t’i përfshijë projektet e kundërkandidatëve që nuk arritën në balotazh dhe do të jem i hapur dhe bashkëpunues. Kemi ardhur në përfundim se koalicioni i vetëm që duhet ta bëjmë është me qytetarin. Qytetari e ka ndarë mendjen. Sepse qytetarët nëse do donin të vazhdonin me këtë qeverisje, do të votonin më 17 tetor, por ata e kanë treguar me votë se kush duhet t’i udhëheqë. Do të jem i hapur dhe bashkëpunues. Për mua është e rëndësishme mirëqenia qytetare. Çka ka më shumë rëndësi që qeverisja jonë t’i kontribuojë vetëm qytetarit. T’u zgjatet dora qytetarëve që nuk iu ka zgjatur”, ka thënë ai.