Teksa shumica e komunave në vend po përballen me tollovi të mëdha të qytetarëve që duan të vaksinohen, në Malishevë tollovi ka pasur edhe në pritje për testime për COVID-19.
Në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë nga e enjtja është vendosur një tendë për testime për COVID-19. Drejtori i kësaj qendree, Afrim Krasniqi, ka thënë për KOHËN të premten se ka pasur “ngarkesë ekstreme”.
Ai në orët e mbrëmjes ka bërë me dije se ende është duke u punuar në nxjerrjen e rezultateve të testeve nga laborantët. Edhe pse nuk e kishte ende raportin ditor, sipas tij, sot janë bërë rreth 200 teste. Krasniqi ka apeluar për rend dhe disiplinë të qytetarëve në mënyrë që të kryhet puna me sukses.
Bashkim Gashi, një qytetar i cili ka pritur sot rreth 2 orë për të bërë testin dhe nuk ia ka dalë, ka thënë se fajtorë janë vetë qytetarët.
“Askush s’na ka faj, po mundohemi të gjithë menjëherë të kryejmë punë”, është shprehur Gashi.
Shoqëruesi i tij ka qenë më me fat dhe pasi ka pritur ia ka dalë të testohet.
“Duke u shty nga pak hyra në rend diqysh dhe kreva punë, po që se qëndron aty gatitu dhe me pritë në rend, kurrë s’testohesh”, ka thënë ai.
Në 24 orët e fundit në territorin e Komunës së Malishevës, 10 persona janë shëruar nga COVID-19, ndërsa janë regjistruar 78 raste të reja. Nga fillimi i pandemisë e deri më sot, në Malishevë me COVID-19 janë regjistruar 1578 raste, prej tyre 1089 janë shëruar, 52 kanë vdekur dhe aktivë janë edhe 437 persona.