Arbëri

Hoxhaj zyrtarizon kandidaturën e Agim Aliut për Ferizajn

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot ka zyrtarizuar kandidaturën e Agim Aliut për kryetar të komunës së Ferizajt në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Në një konferencë për media, Hoxhaj ka thënë se Aliu është kryetari model i një komune shembull në Kosovë dhe të gjitha të arriturat në komunën e Ferizajt mbajnë vulën, pasionin, dhe përkushtimin e një njeriu që e do mbi të gjitha qytetin e tij.

"Sot jemi këtu për dy gjëra. E para, jemi këtu për të falënderuar Agim Aliun për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për Ferizajn dhe qytetarët gjatë këtij mandati. Agimi ka dhënë shembullin adekuat sesi qeveriset në të mirë të qytetarëve. Dhe e dyta, për t'i kërkuar edhe zyrtarisht tani që punën e mirë ta vazhdojë edhe për 4 vite të tjera. Prandaj, po. Agimi gëzon besimin e plotë timin, të partisë, strukturave dhe çfarë është më e rëndësishmja, të qytetarëve të Ferizajt që të vazhdojë ndryshimin e madh që ka nisur në këtë qytet. Si parti e lirisë, e pavarësisë dhe e shtetndërtimit ne jemi parti edhe e punëve e përgjegjësive që marrim ndaj qytetarëve. E shembulli më i mirë është Agim Aliu në Ferizaj – model që do ta bartim nga tetori i këtij viti edhe në komunat e Kosovës si në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Klinë, Skenderaj, Drenas e deri në Sharr", ka thënë ai.

Kurse, kandidati për kryetar të komunës së Ferizajt nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në Ferizaj dhe kryetari aktual i kësaj komune, Agim Aliu ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe strukturat e partisë që edhe për një mandat ia besuan kandidaturën për të qeverisur në këtë komunë.