Kosovë

QKMF në Podujevë po përballet me mungesë të mjekëve

QKMF në Podujevë po përballet me mungesë të mjekëve
 

Me mungesë të mjekëve është duke u përballur Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevës. Pas pranimit të më shumë se 1000 specializantëve në nivel vendi nga ish-Qeveria Hoti, QKMF-në në Podujevë e ka lënë pa 12 mjekë. Zyrtarët e këtij institucioni thonë se pritet që këto ditë të shkojnë edhe 4 mjekët tjerë. Drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu, thotë se mungesa e këtyre mjekëve ka ndikuar që 14 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe Amblanca në terren të mbesin vetëm me infermiere. Sipas tij, kjo ka ndikuar që të stërngarkohet institucioni kryesor shëndetësor në Podujevë.

“Prej QKMF-së kanë shkuar 12 mjekë përnjëherë në specializim, edhe tash pritet të shkojnë 2 a 3 të tjerë, edhe 2 ka mundësi të shkojnë jashtë Kosovës, që në total janë 16 mjekë. Vetë numri nënkupton se ato ambulanca të cilat kanë funksionuar me mjekë, tash me shkuarjen e tyre ka mungesa. Ne staf tjetër nuk kemi, kështu që ato tash funksionojnë vetëm me infermiere, disa të tjera janë në renovim dhe janë jofunksionale”, ka thënë Ymer Llugaliu. “Për shkak të shkuarjes së mjekëve në specializim janë diku 14 nga 22 sa janë në total QMF dhe AMF që kanë mbetur pa mjekë. Është e vërtetë se mungesa e mjekëve nëpër QMF dhe AMF reflektohet shumë në QKMF. Shërbimi këtu është stërngarkuar, plus COVID-i, tash edhe sezoni i gripave, të sëmurët kronikë, Emergjenca, Mjekësia Familjare, tash edhe me vaksinimin”.