Arbëri

Opozita në Ferizaj akuzon komunën për shpërdorim të veturave zyrtare

LDK-ja ka akuzuar ekzekutivin e komunës për keqpërdorim të veturave zyrtare dhe shpenzime enorme të karburanteve. Sipas këtij subjekti komuna ka marrë disa vetura me qira për të cilat paguan çmime të larta nga buxheti i taksapaguesve.

“Më e shtrenjtë qiraja se vetura e kryetarit të Ferizajt Agim Aliu. Ky kryetar paturpshëm mashtron qytetarët kinse udhëton me automjetin e tij privat (Golf 5 i zi, i cili qëndron i parkuar para Komunës me javë të tëra), ndërsa paguan qira për Peugeot 508 nga 497.96 euro në muaj, nga buxheti i qytetarëve të Ferizajt. Dhe për një vit Komunës kjo i kushton 5.975.52 euro”, thuhet në reagimin e LDK-së dega në Ferizaj, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkaq, kryetari i këtij subjekti Muharrem Svarqa, ka thënë se kryetari i komunës Agim Aliu, veturës zyrtare të cilën e ka marrë me qira me kontratë të rregullt i ka vendosur tabela jo zyrtare me qëllim që mos të identifikohej nga qytetarët.

“Ai i ka vënë tabela jozyrtare me regjistrim 01. Ky maskim i automjetit zyrtar të kryetarit bëhet me qëllim që të mos dihet se kah lëviz i pari i Ferizajt, derisa ai vazhdon përsëritjen e vazhdueshme të refrenit për transparencë para qytetarëve. Kjo nuk i mjafton kryetarit Aliu, por ai në emër të kabinetit të tij merr edhe një veturë tjetër me qira Renault Megane për 347.00 euro në muaj, apo 4.164.00 euro në vit. Gjithsej 10.139.52 euro në vit, ose 40.558.08 euro, për mandatin e tij për këtë lux, janë tepër, pasi nga mandati i kaluar ka trashëguar automjete te reja me zero kilometër, që nuk kanë kushtuar më shumë se 13.000 euro”, ka akuzuar Svarqa.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)