Arbëri

Nis realizimi i dy projekteve infrastrukturore në komunën e Klinës

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, sot mori pjesë në fillimin e punimeve në dy projekteve të reja në komunën e Klinës.

Fillimisht, Lekaj u ndal në rrugën Ujmirë - Qupevë që, sipas tij, është dëshmi e suksesit të qeverisë në detyrë.

Faza e dytë e rrugës Ujmirë – Qupevë ka gjatësi afro 4.3 kilometra dhe kosto mbi 332 mijë euro, ndërsa vlera e tërë projektit është rreth një milion euro.

Më pas, kreu i MIT vijoi tek rruga Siqevë-Açarevë, për të cilin tha se ka simbolikën e rezistencës dhe sakrificës për liri, që ne sot të mund të punojmë në të mirë të qytetarëve të vendit.

Rruga Siqevë – Açarevë, e cila lidhë Klinën me Skenderajn, ka gjatësi prej 7.8 kilometra dhe do të kushtojë mbi 384 mijë euro.

Të dy këto projekte financohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, nëpërmjet memorandumit të mirëkuptimit me Komunën e Klinës.

Krahas këtyre dy projekteve, ministri i bëri vizitë edhe rrethrrotullimit të përkohshëm në hyrje të Klinës, i cili redukton kolonat e gjata dhe lehtëson qarkullimin në këtë aks rrugor.