Në më shumë se 10 komuna, numri i votuesve jashtë vendit për zgjedhjet lokale të tetorit është më i madh ose afër sa ka qenë diferenca në vota në mes të kandidatëve të parë në zgjedhjet lokale të para katër vjetëve, sipas disa statistikave që ka publikuar Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës.
Cakolli ka thënë se këto statistika mund t’i bëjnë përcaktuese votat e diasporës për shumë komuna.
“Në zgjedhjet e 12 tetorit, kryetarët e shumë prej komunave dhe politikat tjera lokale do të mund të përcaktohen nga votat e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Në mesin e 10 komunave me përqindjen më të lartë të votuesve jashtë vendit në raport me numrin e përgjithshëm, asnjë prej tyre s’janë komuna të “mëdha”. Aty përfshihen: Juniku (21.95%), Malisheva (10.59%), Mamusha (8.64%), Hani i Elezit (6.67%), Istogu (5.51%), Dragashi (5.34%), Deçani (5.30%), Kaçaniku (4.15%), Shtimja (3.53%) si dhe Kamenica (3.87%). E madje, në pothuajse secilën prej këtyre 10 komunave, por edhe në plot tjera, numri i votuesve jashtë vendit për këto zgjedhje është më i madh (ose i përafërt) se diferenca në vota mes dy kandidatëve të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021”, ka shkruar ai në Facebook.
Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën e votuesve për zgjedhjet lokale. Më 12 tetor do të kenë të drejtë vote 2 milionë e 69 mijë e 95 persona. Nga kjo shifër totale, Dy milionë e 25 mijë e 105 qytetarë do të votojnë brenda Kosovës e 43 mijë e 993 me postë.

