Përderisa Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktualisht nuk preferon koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës për Qeverinë, kjo parti ka refuzuar se ka vija të kuqe për bashkëpunim me cilëndo parti në nivel lokal.
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vija të kuqe sa i përket bashkëpunimit për raundin e dytë të garës për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 9 nëntor.
“LVV-ja e ka parë si një rritje të pandalshme dhe të vazhdueshme. Në këto zgjedhje i fitoi tri komuna pa balotazh, në ato që tashmë veçse qeverisim. Jemi në 12 komuna në balotazh. Kemi pasur diskutime. Analiza që e kemi bërë pas zgjedhjeve na ka bërë të vendosim që të mos ketë pazare që Lëvizja Vetëvendosje po e merr mbështetjen në këtë komunë për t’ia siguruar mbështetjen një partie tjetër në një komunë tjetër. Ua kemi lënë këtë përgjegjësi kandidatëve tanë, u kemi thënë na tregoni ju se cilat janë partitë që ju vlerësoni se ne duhet të hyjmë në koalicion. Nuk kemi pasur asnjë vijë të kuqe në raport me zgjedhjet komunale. Aty ku jemi në balotazh dhe jemi të parët kemi nisur vetë diskutimet me partitë tjera politike”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.
Haxhiu ka thënë se edhe kandidati i VV-së në Prishtinë, Hajrulla Çeku, po merret me komunikimet me partitë tjera politike.