Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij ka dalë e para në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën.
Sipas tij kjo është dëshmi që PDK-ja është modeli më i mirë i qeverisjes lokale në Kosovë.
“Të dielën Kosova foli dhe mesazhi ishte i qartë, PDK-ja është modeli më i mirë i qeverisjes lokale në Kosovë. Këto ishin zgjedhjet e dyta lokale në të cilat PDK-ja ka dalë fituese duke marrë besimin qytetar dhe numrin më të madh të asamblistëve, ndërsa kësaj radhe edhe votën popullore. Kjo është një fitore e qytetarëve”, është shprehur Krasniqi në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, pas mbledhjes së Kryesisë.
Ai ka thënë se vendimet se kë do ta mbështesin në komunat ku PDK-ja nuk është në balotazh do t’i marrin së bashku me kandidatë e PDK-së në ato komuna.
“Kryeqyteti është temë në vetvete, do të marrë trajtimin meritor në kohën e duhur. I takon Uran Ismailit si kryetar i degës, si njeri që ka arrit ta rrisë degën, normalisht besoj shumë që Urani ka qenë kandidati më i mirë dhe më i duhur për Prishtinën, për pak s’e arriti balotazhin. Jemi në një situatë, ku si në komunat tjera, Uranit i takon ta thotë fjalën e tij dhe pastaj ta marrim vendimin bashkë”, ka thënë Krasniqi
Ai ka folur edhe për paralajmërimin e kryetarit të Drenasit se do t'i rihapë simbolikisht zyrat e PDK-së në Drenas, ku kandidati i PDK-së Petrit Hajdari ka humbur garën pa balotazh ndaj Lladrovcit.
"Me sa e kam kuptuar Lladrovci do të kthehet në zyrat ku ka qenë më herët, por zyrat e PDK-së janë aty ku është Kryesia e legjitime e saj, gara atje ka përfunduar”, është shprehur LLadrovci.
Ai ka thënë se i rëndësishëm është rezultati final.
“Unë besoj që i rëndësishëm është rezultati final dhe në rezultatin final del që PDK-ja aktualisht prin, sepse vota për asamble ka përfunduar dhe jemi të parët dhe për mua është shumë e rëndësishme kjo, sidomos në kontekstin aktual politik kur presim që të kemi zgjedhje parlamentare sipas të gjitha gjasave para vitit të ri”, është shprehur Krasniqi.