Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka deklaruar se pas 12 tetorit nuk do të ketë më ndarje selektive ndaj lagjeve të kryeqytetit.
Derisa ka shpërndarë numrin e gjashtë të gazetës javore “Koha për Prishtinën” në lagjen Qafa, Ismaili theksoi se ky lokacion është përzgjedhur me qëllim, pasi sipas tij, pikërisht këtu shihet ndarja mendore e pushtetit lokal ndaj lagjeve.
“Një qasje që përfundon te fontana dhe nuk shkon më tej, duke lënë jashtë vëmendjes dhjetëra lagje e fshatra të Prishtinës”, ka thënë ai.
Ai ka akuzuar pushtetin për pakujdesi me dekada, ku disa lagjeve iu mungon edhe infrastruktura bazë.
“Pas 12 tetorit, ajo çka mund të them është që kjo qasje selektive ndaj lagjeve do të përfundojë. Ideja se logot partiake apo ndasitë partiake në Prishtinë duhet të jenë ato që shkaktojnë këtë ndarje selektive dhe mungesë investimesh do të marrë fund. Do të kemi një qasje gjithëpërfshirëse për të gjitha lagjet dhe fshatrat e Prishtinës”, ka thënë Ismaili.
