OpEd

Uroj një vit pa zgjedhje

Në politikë perceptimi është më i rëndësishëm sesa realiteti. Politikanët janë sikur magjistarët. Ata krijojnë iluzione. Sa më të mirë në krijimin e iluzioneve, përshtypjes, aq më të suksesshëm do të jenë. Për Qeverinë çdo e mirë vjen nga ta. Për opozitën, gjithçka e keqe është për fajin e Qeverisë. Gjërat pozitive për Qeverinë janë fryt i punës së tyre, ndërsa ato negative pasojë e situatës globale. Kështu është gjithkund e jo vetëm në Kosovë. Por kjo fushatë permanente duhet të ketë kufij, e ai kufi është arritur në Kosovë me tri palë zgjedhje në vitin 2025. Prandaj do të ishte mirë që 2026-a të mbahej mend si një vit i futbollit dhe, me Kosovën dhe Shqipërinë në Botëror, pa zgjedhje në Kosovë

Në vitin 2025 u habita se pse nuk ka valë të mëdha emigrantësh, të cilët nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe shkojnë për të jetuar në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të ishte një pyetje logjike nëse vlerësohen situata e përgjithshme dhe kushtet e jetës me deklaratat e politikanëve në pushtet. Nga Kroacia, përmes Serbisë e deri në Kosovë dhe Shqipëri kemi dëgjuar vetëm për rritje pagash, ndërtim urash, shkollash, rritje ekonomike, ulje të papunësisë. Disa nga këto pohime të dëshmuara e disa larg realitetit. “Kroatët kurrë në histori nuk kanë jetuar më mirë”, përsëriste gjatë tërë vitit kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, aq shumë ka folur për suksese, saqë ka shkuar aq larg të thotë se: “Për inat pse Serbia po përparon, po forcohen Kroacia dhe vendet e tjera që ta rrëzojnë Serbinë”. E “Serbia” është vetë ai. Mediat proqeveritare në Serbi kanë pasur edhe tituj: “Serbët u dërgojnë kushërinjve të tyre në Gjermani miell, sheqer dhe vaj”, sepse në Gjermani “ka krizë”. Për rezultatet e “qeverisjes së mirë” dhe sukseset ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nuk i ka lënë mangu as kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama.

E nga Gjermania vetëm lajme jo të mira. Rritja e ekstremit të djathtë, ngadalësim i rritjes ekonomike, krizë e paparë në tridhjetë vjetët e fundit, sulme terroriste, vonesa të trenave. Aq ka tërhequr Gjermania vëmendjen e qytetarëve nga rajoni, saqë në një medium në Kroaci ndër lajmet më të lexuara të vitit ka qenë ai se në Gjermani ka rënë borë në muajin shkurt dhe kjo ka shkaktuar probleme në trafik. Duhet të kenë menduar “ah të shkretët gjermanë! Me gjithë problemet që kanë, veç edhe borën e kanë pasur mangu!!” Pa probleme serioze nuk kanë qenë as Franca e as Britania. Përderisa në Kosovë disa politikanë kanë qëndruar edhe në Ministri, edhe në Kuvend, në Francë tri herë ka rënë Qeveria. Mezi është miratuar buxheti, ndërsa papunësia ka nisur të rritet. Britania ka probleme me çmimet, me inflacionin dhe me stabilitetin fiskal. Për të mos harruar problemin me emigrantët.

Se në vendet e Ballkanit është mirë dhe në ato perëndimore ka krizë, është një lloj paradoksi. Është më shumë iluzion. Mjafton të shihet lëvizja e njerëzve ku shkojnë për të punuar dhe për të jetuar. Lëvizja është nga jugu drejt veriperëndimit. Kroacia ka humbur gjysmë milioni banorë në dhjetë vjetët e fundit. Kanë shkuar për të jetuar dhe punuar në Austri, Gjermani dhe Irlandë. Serbia ka humbur në këtë periudhë edhe më shumë. Mbi 50 mijë qytetarë të Serbisë kanë shkuar për të punuar në Kroaci. Ndoshta për të plotësuar vendet që u lanë zbrazët nga kroatët që shkuan në Irlandë. E Kosova dhe Shqipëria kanë ndoshta edhe zvogëlimin më të madh të numrit të banorëve në tërë Evropën për shkak të largimit të qytetarëve, kryesisht të rinj, drejt vendeve perëndimore. Më shumë ka sot shqiptarë në vendet e Evropës Perëndimore sesa në Shqipëri apo sesa në Kosovë. Me siguri të gjithë ata ikin nga të mirat.

Nuk duhet fajësuar politikanët për një propagandë të tillë, sepse atë punë e kanë. Në politikë perceptimi është më i rëndësishëm sesa realiteti. Politikanët janë sikur magjistarët. Ata krijojnë iluzione. Sa më të mirë në krijimin e iluzioneve, përshtypjes, aq më të suksesshëm do të jenë. Për qeverinë çdo e mirë vjen nga ta. Për opozitën gjithçka e keqe është për fajin e Qeverisë. Gjërat pozitive për Qeverinë janë fryt i punës së tyre, ndërsa ato negative pasojë e situatës globale. Kështu është gjithkund e jo vetëm në Kosovë. Por kjo fushatë permanente duhet të ketë kufij, e ai kufi është arritur në Kosovë me tri palë zgjedhje në vitin 2025.

Qytetarët lodhen edhe nga “të mirat”. Si të mos lodhen duke dëgjuar një lider partie të përmendë se do t’i bëjë rrogat 1.000 euro. Pensionet do t’i rrisë 50 për qind, tjetri do të ndërtojë autostrada e aeroporte. Të mos flasim për stadiume futbolli, salla sporti e zhvillim digjital. Po të realizoheshin këto premtime, edhe shumë vende të BE-së do t’ia kishin lakmi Kosovës. Sepse ka shumë vende të BE-së të cilat nuk e kanë arritur akoma atë nivel rrogash, për të cilat po flitet në Kosovë.

Arsyeja pse në Kosovë njerëzit janë lodhur në vitin 2025, e me këtë gjendje edhe ata që i quajmë “miq ndërkombëtarë”, është fushata e pandalshme zgjedhore që në fakt po zgjat aktivisht që nga vjeshta e vitit 2024. Njerëzit mund të jetojnë, e madje edhe të kënaqën, me dy a tri muaj premtime, lavdërime, kritika dhe ofendime mes garuesve politikë. Por kur kjo bëhet kaq gjatë, atëherë nuk është më as zbavitëse, as e këndshme e as e shëndoshë. Dhe në vitin 2026 kosovarët meritojnë pak pushim. Prandaj do të ishte mirë që 2026-a të mbahej mend si një vit i futbollit dhe, me Kosovën dhe Shqipërinë në Botëror, pa zgjedhje në Kosovë. Kosovës në fillim të vitit i duhet një zgjidhje që të mos ketë më zgjedhje, së paku për një vit që pak të marrë frymë. Dhe natyrisht një ajër pak më i pastër, që edhe fryma që marrin të mos u bëhet problem.